Aeroplanmbajtësja kryesore e ushtrisë britanike, ‘HMS Prince of Wales’ do të qëndrojë e ankoruar për riparime deri në pranverë, pasi linjat elektrike të saj u zhytën në ujë.
Përmbytja është e fundit në një seri ngjarjesh të turpshme në bordin e anijes.
Duke i kushtuar taksapaguesit britanik rreth 4.2 miliardë dollarë, anija gjigante është xhevahiri në kurorën e Marinës Mbretërore.
Së bashku me anijen tjetër, ‘Queen HMS Elizabeth’, ‘Princi i Uellsit’ është i aftë të mbajë në kuvertë aeroplanin luftarak të gjeneratës së ardhshme F-35 të NATO-s dhe të veprojë në një distancë prej 10,000 miljesh detare.
Ajo është gjithashtu në dukje e paaftë për të mbajtur ujin jashtë. Sipas raporteve në mediat britanike të hënën, anija do të qëndrojë e ankoruar në portin e Portsmouth deri në maj 2021, pasi një përmbytje në tetor shkatërroi disa nga sistemet e saj elektrike.
Një zjarr çoi në futjen e mijëra gallonëve ujë deti në dhomën e motorit të anijes, duke zhytur sistemet elektrike për më shumë se një ditë.
“Është e turpshme.” – tha një burim ushtarak për ‘The Sun’.
“Do të duhen muaj për të riparuar dëmin. Kostot do të shkojnë në miliona.” – shtoi ai.
Përmbytja e tetorit nuk është hera e parë që gjiganti i Marinës me peshë 65,000 ton ka pasur probleme të kësaj natyre. Në maj, një video në Facebook tregoi ujin që dilte nga një tavan dhe lagte kabinat e anijes.