Një tjetër mjek ka humbur jetën si pasojë e pandemisë. Mësohet se mjeku gjinekolog Leonard Kamberi ka ndërruar sot jetë në moshën 47-vjeçare.
Ai kishte 2 javë që ishtë shtruar në spital në Tiranë, por gjendja e tij kishte ardhur duke u përkeqësuar.
Leonard Kamberi ka punuar në Maternitetin e Vlorës ndërsa aktualisht punonte në një klinikë private dhe ishte pedagog në Departamentin e Shëndetit Publik, të Universitetit të Vlorës.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar dhe fakulteti ku ai jepte mësim, përmes një mesazhi.
“ Jeta e çdo njërit prej nesh është e vyer, por jeta e një mjeku është aset për njerëzimin, për mijëra emra pacientësh të shëruar. Dr Leonard Kamberi, obsetri ynë i talentuar, kolegu ynë i dashur, pedagogu i përkushtuar, profesionisti që mirëpriste me fjalën e tij të ëmbël dhe me parimet e larta të mjekësisë. Na hidhërove shumë dr. Nardi, një dhimbje e madhe për prindërit, për motrat, të afërmit, miqtë, kolegët, pacientët dhe për komunitetin që i shërbeve aq denjësisht. Dhembje dhe lutje të pafundme për ju!”– thuhet në njoftimin e Fakultetit të Shëndetit Publik në Universitetin e Vlorës.
Ditën e djeshme në Vlorë humbi jetën prej COVID-19 një tjetër pedagoge, Dafina Broka.