Ministri gjerman për çështje Evropiane, Michael Roth, e ka quajtur “gabim serioz politik” dështimin që të miratohet korniza negociuese për nisjen e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.
Sipas REL, këtë deklaratë Roth e ka bërë këtë të martë, para nisjes së diskutimeve në Këshillin e Çështjeve të përgjithshme të BE-së, të cilin e kryeson Gjermania.
Ministri gjerman ka thënë se, lidhur me procesin e zgjerimit “për fat të keq deri më tash nuk ishim në gjendje të arrijmë progres për gjërat që më parë ishim pajtuar”.
“Ne po bëjmë gjithçka në mundësitë tona si presidencë që të arrijmë deri tek pajtimi sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të mundësohet konferenca e parë e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe, poashtu, varësisht nga përmbushja e disa kushteve të mbetura edhe me Shqipërinë. Çfarëdo tjetër do të ishte një gabim serioz politik në dëm të stabilitetit dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor që poashtu do të dëmtonte shumë edhe sigurinë e Evropës në tërësi. Secili do të duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë”, ka thënë Roth, citon REL.
Bullgaria bllokoi vendimin për të miratuar kornizën negociuese të BE-së për Maqedoninë e Veriut, pasi kërkon që disa çështje bilaterale që lidhen me identitetin dhe gjuhën, të jenë pjesë e kësaj kornize.
Diplomatët evropian thonë se nëse nuk kalon vendimi për Maqedoninë e Veriut, atëherë disa shtete anëtare të BE-së kundërshtojnë çfarëdo shqyrtimi të vendimit për Shqipërinë.