Vendosni fjalën kyçe....

“Po bënte veprime të dyshimta”, policia vret 25-vjeçarin në Tiranë


Klodjan Rasha

Një 25-vjeçar është vrarë në orët e para të mëngjesit pasi u qëllua me dy plumba nga një efektiv policie.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën ‘Dritan Hoxha’ në Laprakë, ku efektivi i ‘Shqiponjave’ e qëlloi Klodian Rashën, i cili humbi jetën në spital.

Efektivi me iniciale N.H., tha fillimist se ishte detyruar ta qëllonte të riun pasi kishte dyshuar se ai i kishte drejtuar një armë zjarri .

Gjithçka ka nisur rreth orës 01:45 të mëngjesit, kur policia gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, thotë se ka “konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta”. Efektivët i kanë bërë thirrje të ndalojë, por ai është larguar duke i drejtuar atyre një armë.

Policia thotë se në mungesë të ndriçimit janë detyruar ta qëllojnë të riun, i cili ka ndërruar jetë më vonë në spital.

Polici me inicialet N.H., që qëlloi të riun është shoqëruar ndërkohë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Megjithate në një njoftim të mëvonshëm të policisë thuhet se një armë zjarri ishte gjetur dhjetëra metra larg vendit të ngjarjes dhe dyshohet se ajo i përkiste të ndjerit.

Rreth mesditës, blutë e kryeqytetit njoftuan se se efektivi që akuzohet për vrasjen e të riut ishte arrestuar, ndërkohë që prokuroria ka përjashtuar Policinë e Tiranës nga hetimi i krimit.

Njoftimi i dytë i policisë është në të njëjtën linjë me atë të SHÇBA-së. Sipas kësaj të fundit, 25-vjeçari nuk ka qenë i armatosur në momentin kur është qëlluar nga efektivi dhe se ky i fundit ka shkelur ligjin pasi nuk ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes. Po kështu, në njoftim thuhet se policia ka gjetur një armë zjarri në një nga rrugicat ku kishte kaluar i riu.

Familjarët e 25-vjeçarit Rasha kanë hedhur poshtë pretendimin e parë të policisë se ai ka qenë i armatosur ndërsa kërkojnë me forcë zbardhjen e së vërtetës.

DETAJET E POLICISË

Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.

Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.

Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.

Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme.

Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *