Vendosni fjalën kyçe....

Rama, Basha e Kryemadhi mesazhe për “Ditën e Rinisë”: Rinia e sotme mund t’i japi Shqipërisë drejtimin e ri


Ditën e sotme festojmë Ditën e Rinisë, që shënon dhe 30 vjetorin e rënies së komunizmit.

30 vjet më parë studentë dhe pedagogë të Universitetit të Tiranës u bënë iniciatorët e kthesës dhe ndryshimit historic për rrëzimin e regjimit komunist.

Në këtë datë të shënuar, kryeministri Edi Rama, kreu i PD-së Lulzim BAsha dhe politikanë të tjerë kanë publikuar disa mesazhe.

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto të vjetër të tij, ndërsa shprehet se 30 vjet janë shumë në rrugën e një njeriu, por jo edhe aq në rrugën e historisë së një vendi.

Ai thotë se ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm për të, që ka qenë pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë asaj rruge.

“30 VJET janë shumë në rrugën e një njeriu, por jo edhe aq në rrugën e historisë së një vendi e sidomos kur kjo është koha e kalimit nga një diktaturë ekstreme, në një demokraci funksionale. Bëhen plot 30 VJET sot nga dita, apo më saktë mbrëmja e daljes së studentëve në rrugën pa kthim të daljes prej diktaturës. Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit, pavarësisht thinjave të shtuara me një shpejtësi marramendëse në këto vite,” shkruan Rama.

Lulzim Basha

Kryedemokrati Lulzim Basha shkruan se 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ai thotë se ka ardhur koha që zotimin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ta realizojmë.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimit.

E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan.

Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa!”– shkruan Basha.

Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, thotë se Shqipëria duhet të flasë më shumë me zërin e të rinjve dhe tani është koha që të dëgjohen.

“30 vjet më parë, rinia e Shqipërisë ndezi një shpresë të re duke i dhënë vendit tonë një drejtim të ri. Kurajoja dhe vizioni i tyre çeli rrugën e afrimit të vendit tonë me familjen Europiane.

Ashtu si të rinjtë e 30 viteve më parë, është rinia e sotme që mund t’i japi Shqipërisë drejtimin e ri për të cilin kemi nevojë. Një Shqipëri ku kushdo gjen shpresë, ku të gjithë kanë mundësi për punësim të mirëpaguar, ku çdo shqiptar ëndërron ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e tij. Unë do të vazhdoj të mbështes të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime, sepse është rinia e sotme që do të krijojë një të nesërme më të mirë në Shqipëri. Ne duhet të punojmë për të mbështetur fort brezin e ri dhe t’i japim atyre të gjitha mundësitë që kanë nevojë për të qëndruar në Shqipëri.

Kemi nevojë për ndihmën e brezit të ri, që ta ndihmojë Shqipërinë të distancohet nga dështimet dhe që misioni kombëtar ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, i cili ka 30 vjet që kumbon si thirrje, të mos përplaset më në murin e një politike që nuk dëgjon, por vetë ata të ndërtojnë Shqipërinë shtëpi të tyre.

Shqipëria duhet të flasë më shumë me zërin e të rinjve të mrekullueshëm që kemi!

Është koha e tyre!

Le t’i dëgjojmë!”– shkruan kryetarja e LSI-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *