Vendosni fjalën kyçe....

Vaksinohet kundër COVID-19 personi i parë në Mbretërinë e Bashkuar


Një grua 90-vjeçare është bërë personi i parë që është vaksinuar kundër Covidit si pjesë e programit të vaksinimit masiv që po shpërndahet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Margaret Keenan, e cila mbush 91 vjeç javën e ardhshme, tha se kjo ishte “dhurata më e mirë për ditëlindjen”.

BBC shkruan se e moshuara mori dozën e parë të vaksinës së “Pfizer” dhë “BioNTech” në orën 06:31 të mëngjesit.

Kjo është e para nga 800,000 doza të vaksinës që do të jepen në javët e ardhshme në Britani.

Deri në katër milion të tjera priten të jepen deri në fund të muajit.

Qendrat në Mbretërinë e Bashkuar do të vaksinojnë të moshuarit mbi 80 vjeç dhe disa anëtarë të personelit shëndetësor dhe të kujdesit intensive, të cilët kanë përparësi në këtë fazë.

Zonja Keenan, e cila është me origjinë nga Enniskillen tha: “Ndihem kaq e privilegjuar që jam personi i parë i vaksinuar kundër Covid-19, është dhurata më e mirë për ditëlindjen e marrë me herët, sepse kjo do të thotë që më në fund mund të kaloj kohë me familjen time dhe miqtë në Vitin e Ri pasi isha vetëm për pjesën më të madhe të vitit “.

Mbretëria e Bashkuar është vendi i parë në botë që fillon të përdorë vaksinën Pfizer pas miratimit të saj javën e kaluar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *