Vendosni fjalën kyçe....

Xhaxhai i Klodian Rashës thotë se nipi i tij nuk mbante armë: “Çfarë armësh more zotëri?! Kishte dy hurma në dorë e doli për kafe”


Pas ngjarjes së rëndë ku një 25-vjeçar u vra nga një polic në zonën e Laprakë, ka folur për mediet xhaxhai i viktimës.

Xhaxhai i Klodjan Rashës, Hasan Rasha, mohon që nipi i tij të ketë pasur armë me vete, ndryshe nga sa pretendon policia.

Sipas tij, nipi kishte pasur dy hurma në dorë dhe kishte dalë të pinte një kafe. Ai i bën thirrje autoriteteve të zbardhin vrasjen e nipit ndërsa bën edhe një apel të ngjashëm dhe për gazetarët.

“Unë jam xhaxhai i Klodianit. Klodi është një djalë ish-oficer. Kam dëgjuar që thonë se ka pas armë. Kjo është në mënyrë absolute e pavërtetë. Ai ka qenë i sëmurë, është kuruar me ilaçe për nerva. Dhe herë të tjera ka qenë edhe i shtruar për këtë punë. Tani ai nuk ka pasur armë, ka punuar gjatë ditës me babën e vet. Më vonë është ndjerë i lodhur. Është shtrirë në krevat dhe ka dalë në orën 2 të natës apo më para. Unë s’kam qenë këtu, nuk mund t’jua them orën ekzakt.

Ka dalë me pi një kafe, kur ka njodtuar policia vëllain sepse djali është arrestuar nga policia. Dhe ky ka shkuar gjoja se është arrestuar djali. E kanë marrë e kanë çuar në drejtori, më vonë kanë thënë se djali ka bërë aksident me policët. Më vonë i kanë thënë se ky ka vdekur. Më ka njoftuar vëllai dhe kam ardhur këtu. Më gjatë nuk di çfarë t’ju them.

 Ka dalë me pi një kafe, ka pasur dy kokrra hurma në dorë, i ka lënë në ballkon, ka dalë me pi një kafe. Tani na thane përfundimisht se ai ka vdekur.

Përpara ka qenë i sëmurë, por jo tani. Gjatë ditës ka qenë duke punuar.

Çfarë armësh more zotëri?!

Baba i vet ka qenë duke fjetur mor. Ai ka shkuar se më ka kapur djalin policia. Nuk dimë asgjë, vetëm na thanë që është në morg. Nuk e kemi parë trupin.

Dhe në emër të vëllait, kërkojmë që kjo të zbardhet deri në fund. Unë ju jap një garanci, që vëllai më ka garantuar që djali nuk ka pasur absolutisht asgjë me vete. Se s’ka armë as në shtëpi. Se si ka ndodhur, se si është mërë kjo më gjatë nuk dimë.

Besimin tek ju dhe nga shteti. Apeli për policinë është të na e zbardhë deri në fund sido që të jetë puna. Kërkojmë dhe nga ju që të na e zbardhni këtë punë”, deklaroi xhaxhai i viktimës.

25-vjeçari Klodjan Rasha u vra nga policia natën e kaluar, 100 metër larg banesës së tij, pasi ishte ndjekur se kishte shkelur orën policore.

Policia thotë se efektivi që e qëlloi ishte ndjerë i rrezikuar, pasi i riu kishte nxjerrë një objekt që ishte dukur si armë. Në një njoftim të dytë, policia tha se në vendin e ngjarjes kishte gjetur armën që kishte mbajtur Rasha me vete.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *