Kancelarja gjermane Angela Merkel mbetet gruaja më e fuqishme në botë, sipas revistës Forbes e cila ka publikuar listën me 100 gratë më të fuqishme të botës.
Merkel e kryeson këtë listë për të 10-in vit radhazi, ndërsa është gjithashtu edhe viti i 15 që bën pjesë në këtë listë.
Ajo ndiqet nga Christine Lagarde, e cila është presidente e Bankës Qendrore Evropiane.
Ndërsa e treta në renditje vjen zv.presidentja e zgjedhur amerikane, Kamala Harris. Ajo është gruaja e parë si dhe amerikanja e parë me ngjyrë që zgjidhet në këtë pozicion.
“Udhëheqëset e listës së 100 grave më të pushtetshme në botë e revistës ‘Forbes’, luajnë rol tejet të rëndësishëm në përcaktimin e pamjes së botës pas pandemisë. Fuqia e tyre kalon përtej fushave ekonomike dhe politike, për të transformuar industrinë dhe për të zgjidhur çështjet më urgjente shoqërore. Fuqia e tyre për të na çuar përpara, nuk ka qenë kurrë më e nevojshme”, thotë revista amerikane.
Në vendin e katërt dhe të pestë vijnë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe filantropja amerikane, Melinda Gates.
Dhjetëshja e parë:
- Angela Merkel
- Christine Lagarde
- Kamala Harris
- Ursula von der Leyen
- Melinda Gates
- Mary Barra
- Nancy Pelosi
- Ana Patricia Botín
- Abigail Johnson
- Gail Boudreaux