I penduari i drejtësisë, Luftar Reçi, ka dëshmuar për dy ekzekutime mafioze të ndodhura në shkurt të vitit 2005.
Bëhet fjalë për vrasjet e Klodian Saliut, në një atentat mafioz në autostradën Tiranë-Durrës me 26 shkurt 2005 dhe dy ditë më vonë të biznesmenit Vajdin Lamaj, në një atentat me tritol në ashensorine pallatit ku banonte.
Në dëshminë e tij, Reçi, akuzon për dy eliminimet, Lulzim Berishën, Plaurent Dervishajn, Indrit Taullaun, Viktor Ymerin e Emiljano Shullazin.
Ai rrëfën për njohjen e miqësinë me Lulzim Berishën e më pas me anëtarët e tjerë të grupit të tij. Reçi tregon sesi kishte marrë pjesë në ekzekutimin e Saliut në autostradë.
Ai pohon po kështu se tritolin për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dy ditë më pas e kishte gjetur ai dhe ia kishte dhënë Emiljano Shullazit. Sipas Reçit, tritolin ka ardhur e ka marrë një makinë me sirena policie.
“Kujtoj se ka qenë muaji shkurt i vitit 2005, besoj nga mesi i muajit më ka telefonuar nga numri i tij celular Lulzim Berisha. Luli më tha gjej nga ato të ‘nëntat’ që ishin kallëpe tritoli, ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vetë fëmijët dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijë.
Luli ishte në dijeni të kësaj ngjarje sepse i kisha treguar vetë. Më kërkoi një minë për veten e tij. Për të përgatitur minat me telekomandë më ka ndihmuar nipi im dhe J.. Pas kërkesës së bërë nga Luli, unë mora në telefon A., i cili tregtonte mina.
I shkova në shtëpi dhe i thashë se më duhej një minë me telekomandë dhe ai më tha prit se do ta gjej. U fut brenda në shtëpi dhe doli pas 45 minutash dhe më dha minën.
Pasi mora minën telefonova Luli dhe i thashë hajde merre. Më tha do të marr pas pesë minutash dhe më tha do të vijë një mik i joni ta marrë. Pastaj erdhi një automjet ‘Mitsubishi Pajero’ policie me sirenë sipër dhe me katër porta.
Pasi më mori A., ikëm në Durrës tek piceria e Lulit. Me vete kisha edhe minën me telekomandë që kisha marrë. Për këtë minë kam paguar 1600 euro.Kur shkova tek piceria e Lulit, kam gjetur Lulin, Lentin dhe një person tjetër që qëndronte si roje te dera.
Në piceri u ulëm tek një nga tavolinat dhe diskutuam për montimin e minës dhe gjetjen e një eksplozivi. Telefonova J. dhe i kërkova të vinte në Durrës. Rreth orës 10-11 të darkës kanë ardhur tek piceria në Durrës J. dhe pas tij A. me lëndën plasëse në një qese ku ishin 6 ose 8 tubete me dinamit, brumë me ngjyrë të kuqerremtë.”