Vendosni fjalën kyçe....

Flet babai i Klodian Rashës: “Çfarë polici është ai që të vret te dera e shtëpisë?!”


Pas ngjarjes së rëndë nga e cila mbeti i vrarë 25-vjeçari Klodian Rasha, ka reaguar për herë të parë babai i tij. Qazim Rasha.

Babai i 25-vjeçarit kërkon drejtësi për vrasjen e të birit. Ai është shprehur para kamerave se policia duhej të ishtë për të mbrojtur dhe jo për të vrarë. Ai shprehet se priste ta martonte dhe jo ta çonte në arkivol.

 “Dhimbja ime është edhe e juaja. Dhimbja ime është e të gjithëve, e çdo race, e çdo babe, e çdo nëne. Lind dhe rritet dhe të jep dhe të merr Zoti. Drejtësia të bëjë drejtësi. Mos të na vrasi çdo minutë. Mos të na vrasi. Jo të më vijë djali mua në rrugicë, dhe të më vritet tek rrugica e shtëpisë. Kush mund ta bëjë këtë?! Kush është ai polic?! Çfarë policie është ajo që të vret në derë të shtëpisë?! Policia është për të mbrojtur, jo për të vrarë. Djali ishte duke punuar në llaç gjithë ditën në shtëpi dhe doli të marrë cigare. Për maskën iku dhe e vranë. Prisja ta martoja, jo ta çoja në arkivol.”, tha babai i 25-vjeçarit me zërin që i dridhej.

25-vjeçari Klodjan Rasha u vra nga policia pas mesnatës, në orët e para të së martës, rreth 100 metër larg banesës së tij. Ai ishte ndjekur nga dy efektivë policie se kishte shkelur orën policore.

Policia thotë se efektivi që e qëlloi ishte ndjerë i rrezikuar, pasi i riu kishte nxjerrë një objekt që ishte dukur si armë. Në një njoftim të dytë, policia tha se në vendin e ngjarjes kishte gjetur armën që kishte mbajtur Rasha me vete.

Më vonë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Aneksat ka dhënë një njoftim publik ku thuhej se kanë gjetur një pistoletë, në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë. Por nuk thuhej se i riu kishte gjë në dorë në momentin kur u qëllua nga polici.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *