Vendosni fjalën kyçe....

Rrëzohet helikopteri në Alpet franceze, pesë të vdekur


Një helikopter është rrëzuar në Alpet Franceze duke i marrë jetën pesë nga gjashtë personave që ndodheshin në bord.

BBC shkruan se avioni në pronësi të një kompanie private, po kryente një mision shpëtimi kur u rrëzua afër qytetit Bonvillard në zonën e Savoie.

Shkaku i rrëzimit është i paqartë, por zyrtarët thonë se mund të jetë shkaktuar nga moti i keq.

Alarmi u ngrit nga piloti i cili arriti të shpëtonte nga helikopteri dhe u gjet i plagosur rëndë. Helikopteri i përket Shërbimit Ajror Francez, një kompani private që kryen misione kërkim-shpëtimi dhe shërbime të tjera ajrore në të gjithë Francën.

Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu “mbështetjen nga kombi për familjet,  miqtë dhe kolegët e këtyre heronjve francezë”.

Çfarë dimë për rrëzimin?

Autoritetet franceze thanë se helikopteri po mbante një ekuipazh shpëtimi ajror në një mision stërvitor, kur ra nga një lartësi prej 1,800 metrash.

Piloti i mbijetuar ngriti alarmin rreth orës 19:10 pasi arriti të shpëtonte nga helikopteri.

Ekuipazhi në bord përbëhej nga dy pilotë – një në trajnim – së bashku me dy operatorë çikrikësh dhe dy punëtorë të shpëtimit në mal.

Sindikata e policisë Synergie-Officiers ka identifikuar Amaury Lagroy de Croutte si një nga viktimat. Që nga viti 2018, De Croutte kishte udhëhequr një njësi lokale malore të CRS-së dhe policinë e trazirave të Francës.

Tre helikopterë janë dërguar në vend si pjesë e një ekipi shpëtimi prej mbi 40 personash. Por nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë vendin e ngjarjes për shkak të mjegullës. Në këto kushte, piloti u shpëtua nga një grup shpëtimtarësh që u afruan në këmbë.

Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin ka thënë se ai do të vizitojë vendin e incidentit të mërkurën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *