Mbrëmjen e kaluar Report TV publikoi të parin sondazh të realizuar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, të realizuar nga vetë televizioni në bashkëpunim me Institutin Italian Piepoli.
Sondazhi në fjalë që u transmetua gjatë emisionit “Repolitix” nxjerr Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama fitues në zgjedhje. Dhe me një fitore të thellë.
Të pyetur se për kë do të votonin nëse do të shkonin të votonin sot, 53- 59% e të anketuarve janë përgjigjur se do të votonin Partinë Socialiste.
Të dhënat janë krahasuar edhe me rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2017, kur PS-ja mori 48.24 % të votave. Pra ka një rritje.
PD rezulton të ketë një rritje të lehtë pasi sipas sondazhit pritet të marrë 30-34% të votave, ndërkohë që në zgjedhjet e kaluara mori 30.78%.
Mesa duket me rritjen e thellë të PS-së, vjen dhe një rënie e votave të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
LSI sipas këtij sondazhi do të merrte vetëm 2-4% të votave, ndërsa 4 vite më parë ka marrë 14,28%.
Sipas këtij sondazhi, PS-ja ka një pëlqim më të madh në Tiranë, ku priret të votojnë për të deri në 60% e kryeqytetasve.
Të pyetur se cilat figura politike konsiderojnë të dobishëm për zhvillimin e vendit, qytetarët kanë zgjedhur kryeministrin Rama me 49%.
Ndërkohë janë përgjigjur se “PO” do shkojnë të votojnë 86% e qytetarëve të anketuar.
Të pyetur për punën e qeverisë Rama në disa drejtime si në, menazhimin e emergjencës së shkaktuar nga Covid, menaxhimin e Rindërtimit pas Tërmetit, Reformën në drejtësi… etj., një pjesë e mirë e qytetarëve sipas Report TV e kanë vlerësuar “të Shkëlqyer”./ Hashtag.al