Që prej muajit tetor, European Democracy Youth Netëork (EDYN) ka organizuar një Debat Kombëtar të quajtur “Shqipëria, të rinjtë dhe Europa”.
Në këtë debat kanë marrë pjesë gjithsej 16 skuadra me nga tre persona me të rinj nga e gjithë Shqipëria.
Finalja u mbyll ditën e djeshme në programin televizi të moderatorit Adi Krasta, që transmetohet në “Syri TV”.
Në finale ishin dy grupet: Grupi i parë i përbërë nga Kristjana Proko, Jurgena Deda dhe Sara Elezaj (Të treja studente ekselente finance) dhe grupi tjetër me Ina Metalia, Ervisa Shehu dhe Mario Keputa (studente ekselente në shkenca politike).
Këta të fundit u shpallën fituesit e këtij konkursi të realizuar nga EDYN.
Në juri kishte përfaqësues nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe shoqëria civile.
Për debatin final, në juri ishin Lufti Dervishi, Irena Beqiraj dhe Juela Hamati.
Temat e trajtuara në finale, ishin ekonomia, politika dhe integrimi.
EDYN thotë se qëllimi i gjithë këtij konkursi debati ishte të rinjtë të japin kontributin e tyre modest në kultivimin e një kulture debati në Shqiperi dhe gjithashtu, t’i jepnin një mundësi të rinjve për të shfaqur aftësitë dhe njohuritë e tyre.
Çfarë është EDYN?
EDYN, është një rrjet rinor europian i themeluar nga USAID, International Republican Institute dhe National Democratic Institute. 230 të rinjtë që janë anëtarë të EDYN në të gjithë Europën vijnë nga forumet rinore politike (majtas, djathtas) por edhe nga shoqëria civile dhe sipërmarrja. Shqipëria është një nga 22 shtetet ku ata kanë anëtarë.