Është tensionuar situata para Ministrisë së Brendshme teksa qytetarët janë përpjekur të çajnë kordonin e policisë.
Ata kanë hedhur në drejtim të policisë çadra e sende të tjera ndërsa këta të fundit janë përgjigjur duke shoqëruar një nga protestuesit.
Sipas policisë, një efektiv ka mbetur i plagosur nga përplasja me protestuesit. Qindra qytetarë u mblodhën para Ministrisë së Brendshme për të protestuar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme.
Ata kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Lleshaj si dhe drejtësi për të riun e vrarë. Rasha u qëllua nga policia në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme teksa po largohej me vrap nga policia.
Efektivi ka thënë në dëshminë e tij se ka dyshuar se i riu e ka kërcënuar me një send që i është dukur si armë zjarri. Ndërkohë familjarët e tij dhe disa dëshmitarë kanë thënë se nuk është e vërtetë se ai ka pasur armë. Efektivi është arrestuar ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për nzgjarjen e rëndë.