Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për protestën e zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Tiranë, për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Përmes një njoftimi, ambasada u kërkon shtetasve amerikanë që të shmangen protestat, për të cilat kanë informacion se mund të përhapen edhe në qytete të tjera.
“Ambasada ka marrë raporte për protestën që ndodhi përpara zyrave qeveritare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. Raportet tregojnë se disa protestues kanë hedhur objekte në drejtim të policisë dhe disa efektivë u plagosën. Efektivët e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës për të kontrolluar turmën. Qytetarët amerikanë duhet të shmangin tubimet e mëdha, pasi demonstrata të ngjashme mund të përhapen në zona të tjera. Personeli i ambasadës amerikane dhe anëtarët e familjes janë këshilluar të shmangin të gjithë vendet, ku demonstratat janë të vazhdueshme”, thuhet në njoftimin e ambasadës.