Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar lidhur me protestat dhe ngjarjet që rrodhën prej tyre në këto dy ditë për vrasjen e Klodian Rashës.
Avokati i Popullit ka ndjekur nga afër ngjarjet duke inspektuar në terren.
Institucioni ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje, maturi si nga ana e qytetarëve dhe sidomos nga Policia.
Njoftimi i Avokatit i Popullit:
Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së djeshme dhe sotme ku janë shënuar përplasje midis një numri të madh qytetarësh që protestojnë për vrasjen e të riut Klodian Rasha dhe forcave të rendit.
Ekipe të Avokatit të Popullit kanë qënë dhe ndodhen në terren për të inspektuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi.
Në këtë situatë, institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi nga ana e qytarëve por sidomos nga ana e Policisë së Shtetit të garantohet e drejta e qytetarëve pēr të protestuar.
Indinjata e qytetarëve për vrasjen e të riut 25 vjeçar është e përligjur megjithatë, brutaliteti, por dhe shkatërrimi nuk duhet të lejohen pa marrë parasysh se nga cila anë vjen.
Avokati i Popullit bën thirrje për qetësi dhe të gjenden rrugët alternative në mënyrë që të mënjanohet konfliktet.
U urojmë shërim të shpejtë protestuesve dhe policëve të plagosur në krye të detyrës dhe bëjmë thirrje për të shmangur ekspozimin dhe pjesëmarrjen e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj situatave të rrezikshme.
Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.