Vendosni fjalën kyçe....

“Jam vetë babai i një çuni të vogël, e marr me mend zemrën e babait të Klodianit, pemët dhe dritat rraqe janë”- Erion Veliaj


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rashës dhe protestën e mbrëmjes së kaluar në Tiranë.

Veliaj tha se ngaqë është baba vetë e kupton mirë dhimbjen që ndjen babai të të riut të vrarë. Ai theksoi se gjërat e dëmtuara nga protesta janë “thjesht rraqe” dhe do rikuperohen përsëri.

 “Unë jam babai i një çuni të vogël dhe e marr me mend si i është thyer zemra babait të Klodit, djalit që u vra sepse nuk besoj se ka gjë më të rëndë sesa me të humb fëmija. Një ditë do kesh vetë fëmijë (i drejtohet banorit të shtëpisë së re) dhe do e kuptosh çfarë dhimbjeje është kur të sëmuret, e jo më ta humbasësh. Kështu që ajo familje është zemërthyer dhe ka gjithë të drejtën e botës të jetë e mërzitur, këtë s’e luan topi. Dhe që kanë merak për drejtësi, edhe kjo kuptohet. Se imagjino sa gjëra kanë ndodhur në këtë shtet dhe nuk kanë parë drejtësi. Ndaj, ata kanë të gjithë të drejtën e zotit të mërziten. Edhe ato që prishin dhe dëmtojnë qytetin – rraqe janë, nuk është ndonjë hata, do i rikuperojmë prapë. Jeta do të vazhdojë!”, deklaroi Veliaj.

Këtë deklaratë, kryebashkiaku i Tiranës e bëri teksa vizitoi dy familje të cilave i janë rindërtuar shtëpitë pas tërmetit.

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha në orët e para të 8 dhjetorit nga një punonjës policie, ngriti dhjetëra njerëz të protestojnë mbrëmjen e kaluar para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë duke kërkuar “drejtësi” për ngjarjen. Protesta përshkallëzoi në përplasje me policinë, ndërsa iu vu flaka dhe pemës së Krishtlindjeve tek Kryeministria si dhe pemës së madhe tek Sheshi Skënderbej.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *