Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tashmë i larguar komentoi dorëheqjen e tij nga posti i ardhur pas një ngjarje e cila tronditi opinionin publik dhe shkaktoi protesta të tensionuara pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie.
Lleshaj tha se dorëheqja ishte akt moral dhe individual.
Më tej Lleshaj, ka thënë se nuk ka përgjegjësi për ngjarjen e ndodhur.
“Sigurisht që dorëheqja është pranuar sepse është e parevokueshme dhe është automatikisht e pranueshme dhe e pranuar. (Rama). Dorëheqja është një akt moral, i rëndësishëm dhe merret atëherë kur ndërgjegjja arrin në përfundimin që duhet bërë ky akt, këtë vendim e kam marr që herët, siç e tha dhe Kryeministri por sot e finalizova pas takimit me KM. Dorëheqja jepet vetë, është një akt individual dhe sovran i imi. E vetmja kontradiktë është kontradikta me përvojën e krijuar në Shqipëri lidhur me dorëheqjen. Kjo dorëheqje ka një dimension human në radhë të parë. Kemi vrasjen e një djali të ri. Së dyti ka një tension politik. Unë dua të distancohem nga një praktikë e shëmtuar e drejtimit të gishtit në çdo gjë që ndodh tek dikush. U bë disa ditë që persona që kanë përgjegjësi për shumë tragjedi kanë ngritur padrejtësisht gishtin dhe dorën kundër policisë, ndërkohë që u mungon ndërgjegjja dhe i kanë lënë shtetit një borxh shumë të madh siç është 21 Janari. Edhe pse nuk kam përgjegjësi për ngjarjen e jap si argument politik. Ata kërkuan që të japë dorëheqjen Lleshaj, tani çfarë do të bëjnë ata”-tha Lleshaj.