Presidenti Meta ka vendosur ta kalojë në heshtje buxhetin e vitit faktik të vitit 2019.
Pas miratimit nga Kuvendi në seancën e datës 16 nëntor 2020, ligji hyn në fuqi edhe pse pa firmën e kreut të shtetit.
Në deklaratën e tij zyrtare, Meta thekson se nuk ka ndërmend që ta rikthejë ligjin në Kuvend pasi sipas tij kjo gjë nuk do sillte ndonjë ndryshim thelbësor.
Por u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, që të marrin masa e të mos lejojnë përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin.
Deklarata
DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SH.T.Z. ILIR META MBI MOSDEKRETIMIN ME SHPALLJE TË LIGJIT NR. 136/2020 “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT FAKTIK TË VITIT 2019”
10 dhjetor 2020
Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 16 nëntor 2020, ka miratuar ligjin nr. 136/2020 “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2019”, ligj të cilin e ka përcjellë tek Presidenti i Republikës për shpallje.
Nga shqyrtimi i përmbajtjes së këtij ligji, në raport me dokumente dhe të dhëna të tjera zyrtare mbi zbatimin e buxhetit të shtetit (2019), veçanërisht konstatimet nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi zbatimin e tij, Presidenti i Republikës, sjell në vëmendje të Kuvendit, qeverisë, si dhe vë në dijeni edhe qytetarët mbi disa problematika të theksuara, që lidhen me planifikimin dhe zbatimin buxhetor.
Në kushtet kur bëhet fjalë për një ligj që miraton buxhetin faktik, si dhe duke patur në konsideratë sjelljen vijuese të Kuvendit ndaj çështjeve kaq delikate, kthimi i këtij ligji për rishqyrtim në Kuvend, nuk do të përbënte ndonjë ndryshim thelbësor.
Për këtë arsye Presidenti i Republikës ka vlerësuar ta lërë në heshtje këtë ligj, por duke kërkuar vëmendjen e institucioneve përgjegjëse për të marrë masa, për të mos lejuar përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin.
Presidenti i Republikës, fton Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë të reflektojnë mbi këto mangësi në realizimin e treguesve fiskalë:
Raporti i buxhetit faktik tregon mosrealizimin e treguesve fiskalë të buxhetit të vitit 2019, për shkak të mungesës në vazhdimësi të një planifikimi joreal të të ardhurave publike dhe, për rrjedhojë, edhe të shpenzimeve buxhetore.
– Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit, gjatë vitit 2019, janë realizuar në vlerën 460,349 milionë lekë, nga 486,677 milionë lekë të planifikuara ose 94.6% ndaj planit të rishikuara.
– Të ardhurat tatimore janë realizuar në masën 95.1%.
– Mosrealizim të lartë kanë treguar të ardhurat nga ndihmat, që janë realizuar në masën 8,811 milionë lekë kundrejt 15,500 milionë lekëve të planifikuara, ose 56.8 % ndaj planit.
– Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit, për vitin 2019, u realizuan në vlerën 491.897 milionë lekë, nga 519.577 milionë lekë të planifikuara sipas Aktit Normativ nr.11, datë 24.12.2019 dhe planit fillestar; pra, këto shpenzime janë realizuar 27,680 milionë lekë më pak se planifikimi ose e shprehur në përqindje, në masën 95%.
– Shpenzimet kapitale kanë treguar një mosrealizim të lartë në vlerën 74,993 milionë lekë nga 86,138 milionë lekë të planifikuara ose e shprehur në përqindje, në masën 85.7%.
Raportime të ndryshme të nivelit të deficitit buxhetor, të detyrimeve të prapambetura dhe të borxhit publik, ndërmjet buxhetit faktik dhe raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
– Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, deficiti buxhetor në raport me Prodhimin e Brenshëm Bruto, rezulton në masën 1.87%, brenda kufirit prej 2%.
– Sipas raportit të KLSH-së, raportimi i zërave në pasqyrën e konsoliduar të treguesve fiskalë, vijon të mbetet formal, duke mos reflektuar saktë dhe në mënyrë të plotë nivelin real të shpenzimeve buxhetore dhe, për pasojë, edhe deficiti vjetor, i cili sipas KLSH-së, bazuar në një vlerësim të kujdesshëm, për vitin 2019, arrin në 2.27% të PBB-së.
Niveli më i lartë i deficitit buxhetor është në shkelje të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë për vitin 2019”.
– Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së përgjatë vitit 2019, sipas raportimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ka rezultuar në ulje në krahasim me një vit më parë. Ky raport ka shënuar rënie nga 67.9% në 65.9% të PBB-së kur i referohemi treguesve të borxhit publik për tremujorin e katërt të vitit 2019. Por në Raportin e Buxhetit Faktik të vitit 2019, hartuar nga MFE-ja është raportuar se stoku i borxhit publik ndaj PBB-së është në nivelin e 66.2% në vitin 2019. KLSH-ja ka përfunduar se treguesit e borxhit publik, në raport me PBB-në, për vitin 2019, bazuar në PBB-në faktike të publikuar nga IMF (Ëorld Economic Outlook), tetor 2020, janë të ndryshëm nga deklarimi i MFE-së. Niveli i borxhit, i rivlerësuar nga KLSH-ja është 66.7% e PBB-së.
– Stoku i detyrimeve të prapambetura, i raportuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në fund të vitit 2019, në shumën 17,279 milionë lekë, rezulton jo i plotë dhe i saktë, pasi konstatohen diferenca në raportimet e pagesave për detyrimet e prapambetura. Detyrime për:
- projekte investimesh;
- mallra;
- shërbime;
- vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi etj.
– Rimbursimi i TVSH-së si dhe rimbursimi i tepricës kreditore të tatimit të fitimit, vlerësohen nga KLSH-ja në rreth 53.3 miliardë lekë. KLSH-ja ka konstatuar se vendimet gjyqësore të formës së prerë nuk raportohen dhe nuk deklarohen si shpenzim në kundërshtim me nenin 61 të ligjit nr.9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.
– Duke marrë në konsideratë nivelin e lartë të detyrimeve për vendimet gjyqësore, KLSH-ja parashtron rëndësinë e trajtimit të plotë të përgjegjësive në lidhje me vendimmarrjen me kosto financiare të nëpunësve publikë, në të njëjtën linjë me kërkesën e vazhdueshme për hartimin dhe miratimin e ligjit “Për përgjegjësinë materiale”; kjo, pasi është konstatuar se në të gjitha subjektet që ekzekutojnë vendimet gjyqësore nuk përcaktohet përgjegjësia në lidhje me detyrimet që lidhen me to, në kundërshtim edhe me kërkesat e Udhëzimit Standard të Zbatimit të Buxhetit.
– Detyrimet për vendime gjyqësore ndërkombëtare nuk raportohen në kundërshtim me udhëzimin nr.5 datë 27/02/2014 “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”. Janë raportuar vetëm pagesat për shpenzimet juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar, në rreth 153.4 milionë lekë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar veprime në kundërshtim me ligjin nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”:
– Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si përgjegjëse për hartimin e dokumentit të Planit Buxhetor Afatmesëm (PBA) dhe buxhetit vjetor në vitin 2019 nuk ka mundur të realizojë dhe miratojë një programim afatmesëm në kohë, pa diferenca dhe sipas përcaktimeve ligjore në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, si:
- vonesa në përgatitjen e tyre e programit afatmesëm, si dhe diferenca në përmbledhjen e kërkesave të reja dhe ato ekzistuese në zërin e investimeve;
- përgatitja e tavaneve të shpenzimeve jashtë kohës së përcaktuar në kalendarin e miratuar;
- vazhdimin e vonesave për hartimin të dokumentit të PBA-së dhe të projektbuxhetit nga shumë institucione buxhetore.
– Veprime jo në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, si:
- praktika e mosregjistrimit të shpenzimeve në çastin që ndodhin, si dhe procesimit të vonuar të pagesës;
- marrjen e angazhimeve për investime pa pasur në dispozicion fonde buxhetore;
- miratimi i fondeve buxhetore vetëm me qëllimin e lidhjes së kontratës;
ç. shkurtimi i fondeve të investimeve, si dhe mbyllja e tyre në proces;
- çelja e projekteve të investimeve në proces me akte normative, pa kaluar procedurat e menaxhimit të investimeve publike;
- realizimi i investimeve të huaja pa një plan buxheti të miratuar me ligj;
ë. përfshirja edhe likuidimi i detyrimeve të prapambetura në zërin e investimeve me financim të brendshëm;
- angazhime për investime që janë marrë pas datës 15 tetor;
- projekte investimi me financim të brendshëm, që kanë pësuar ndryshim të madh me akte normative, krahasuar me vlerën e miratuar të tyre sipas ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë për vitin 2019”.
– Evidenton dobësitë dhe thyerjet e sistemeve të kontrollit, si:
- programim i dobët;
- alokime dhe rialokime jo gjithmonë të dokumentuara;
- mosregjistrim të shpenzimeve për të qëndruar në vlerën e buxhetit të miratuar;
- mosregjistrimin ose regjistrimin pjesor apo regjistrim jo në periudhën e duhur buxhetore të kontratave publike;
- raste të realizimit formal të shpenzimeve, kryesisht për investime në fund të vitit;
- paraqitja me hollësi fondeve buxhetore deri në njoftimin e miratimit të tyre është i tejzgjatur dhe i pasanksionuar me një afat në udhëzimet përkatëse;
- miratimin e një numri të lartë rishikimesh buxhetore, sidomos për fondet për shpenzime për investime, të cilat lidhen me projekte që nuk kanë kaluar në të tëra hallkat e procesit të miratimit të investimeve publike dhe janë të pamiratuara në dokumentin e PBA-së;
- projekte, që edhe pse kanë kryer procedurat e prokurimit, fondet buxhetore të tyre u rishpërndahen në projekte të tjera;
- regjistrimi i rialokimeve me data kontabël fiktive të mëparshme;
– Mangësi në zbatimin e sistemeve të kontrollit në sistemin e thesarit si:
- regjistrimi me vonesë i kontratave të lidhura nga institucionet qendrore dhe vendore;
- regjistrim i pjesshëm i angazhimeve, për shkak të mungesës së fondeve që janë në zotërim;
- regjistrimi i kontratës bëhet në të njëjtën ditë dhe me të njëjtën vlerë me faturën,
- mos regjistrim i kontratave në momentin e lidhjes së saj në vijim të mos regjistrimit të urdhër-prokurimeve;
- fatura të dorëzuara në thesar jashtë afatit;
- urdhërshpenzime të paguara jashtë afatit 30 ditor;
- ekzekutime të pagesave të faturave të regjistruara në data të mëvonshme, përpara urdhërshpenzimeve të regjistruara në data më të hershme.
Në buxhetin faktik nuk raportohet mbi gjetjet e KLSH-së në lidhje me dëmet e shkaktuara në buxhetin e shtetit dhe efektshmërinë e kompanive publike, si:
– Shkeljet me pasojë dëm në buxhetin e shtetit në formën e të ardhurave të munguara, si dhe shpenzime me dëm ekonomik prej 2.1 miliardë lekësh.
– Të ardhura apo shpenzime të realizuara në kushtet e parregullsive në zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi, me efekte negative për buxhetin e shtetit e vitit 2019 në vlerën e 84,3 miliardë lekëve.
– Në lidhje me efektshmërinë e marrëveshjeve të nënhuasë, KLSH-ja ka konstatuar krijimin e detyrimeve të reja në vitin 2019, shumën prej 6,1 miliardë lekësh (ose rreth 49.8 milionë euro) të subjekteve nënhuamarrëse, në kuadër të marrëveshjeve të nënhuasë përgjatë vitit 2019, si pasojë e mosshlyerjes së detyrimeve përkatëse dhe, kryesisht sektorët e energjisë (KESH, OSHEE dhe OST) të pushtetit vendor dhe sektori i ujësjellësve.
– Në lidhje me efektshmërinë) e garancive shtetërore, të cilat paraqesin një risk të shtuar në drejtim të administrimit të tyre dhe situatës së rënduar financiare që kalon, kryesisht sektori energjetik, duhet sjellë në vëmendje: Për vitin 2019, gjendja e detyrimeve lidhur me garancitë shtetërore që subjektet përfituese kanë ndaj shtetit, është rritur nga 10,9 miliardë lekë në 13,2 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 2,3 miliardë lekësh, kryesisht ne sektorin e energjisë.