Vendosni fjalën kyçe....

Nga djegia e pemëve të Krishtlindjes tek përplasjet, gjithçka ndodhi mbrëmë në protestën për vrasjen e Klodian Rashës (PAMJET)

E mërkura e 9 dhjetorit nisi dhe përfundoi me protesta. Pas protestave të zhvilluara paradite nga të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, një grup i madh qytetarësh u mblodhën rreth orës 18:00 dhe shkaktuan rreth pesë orë trazira në kryeqytet.

Nisi te Ministria e Brendshme

Të rinj dhe anëtarë të Shoqërisë Civile e nisën protestën me një marshim dhe u vendosë përballë ministrisë së Brendshme, ku i bënë thirrje ministrit Lleshaj të japë dorëheqjen për shkak të vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një punonjës policie.

“Jepe dorëheqjen”, “Poshtë komunizmi” dhe “Drejtësi për Klodianin”- ishin disa nga thirrjet e tyre. Protestuesit ndezën edhe qirinj përballë godinës së ministrisë, mirëpo më pas situata u përshkallëzua në tensione.

Protestuesit nisën të hidhnin sende të forta drejt godinës, ndërsa pati edhe të lënduar. Një polic, një gazetar dhe këngëtari Stresi u lënduan nga sendet që po hidheshin në drejtim të godinës.

Përplasjet te Kryeministria dhe pema e Krishtlindjeve në flakë

Më pas, turma e zemëruar u zhvendos tek godina e Kryeministrisë, ku situata vazhdoi të përshkallëzohej me rrëzimin e pemës së Krishtlindjeve duke i vënë flakën. Protestuesit tentuan të hyjnë brenda duke goditur disa herë derën me gurë e tulla.

Punonjës policie në fillim kishin blinduar hyrjen në Kryeministri, por me situatën në këto përmasa ndërhynë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që e shpërndanë turmën me gaz lotsjellës.

Edhe pemës së Krishtlindjeve në sheshin “Skënderbej” iu vu flaka, ndërsa pati protestues që sulmuan përsëri Ministrinë e Brendshme si dhe Bashkinë e Tiranës.

Një makinë policie në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u sulmua gjithashtu, ndërsa iu vu flaka edhe disa kazanëve me plehra në rrugën “Myslym Shyri” kur protestuesit po shpërndaheshin.

Pas protestës, policia konfirmoi zyrtarisht se janë të plagosur 9 punonjës policie gjatë përplasjeve me protestuesit si dhe 1 qytetar.  Sipas uniformave blu, 3 prej tyre ndodhen në gjendje më të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe në trup. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë lajmëroi se një prej policëve të plagosur në protestën e sotme në Tiranë rrezikon të humbasë syrin, për shkak të plagëve të rënda që ka marrë.

Në fund, grumbullimet qytetare nisën sërish para Kryeministrisë, ku një turmë njerëzish nisën të marshonin drejt shtëpisë së Klodian Rashës.

Pas protestave dhe marshimeve, në fund autoritetet morën disa masa për blindimin e dyerve të Kryeministrisë./Hashtag.al

PAMJET NGA PROTESTA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *