Pas protestave të zhvilluara ditën e djeshme në qytetin e Korçës për vrasjen e Klodian Rashës, policia ka zbuluar të dhënat zyrtare.
Sipas policisë, në Korçë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 9 persona, të cilët akuzohen se organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, shkatërruan pronën dhe goditën për shkak të detyrës punonjësin e policies.
Policia thotë se protestuesit kanë goditur me sende të forta në kokë punonjësin e policies me inicialet M. J., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, në përfundim të veprimeve të kryera, në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Bashkisë Korçë, kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:
M., 30 vjeçe; E. M., 21 vjeç; H. K., 23 vjeç; E. V., 21 vjeç; K. Dh., 27 vjeç; E. T., 27 vjeç; Gj. L., 22 vjeç; S. D., 41 vjeç; D. H., 38 vjeç, banues në Korçë e Maliq.
Shtetasit e lartpërmendur, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme duke hedhur sende të forta në drejtim të godinës së Bashkisë, ku për pasojë kanë thyer disa xhama, kanë shkatërruar dekoret festive, kanë djegur dy bredha dhe kanë goditur me sende të forta në kokë për shkak të detyrës, punonjësin e policisë M. J., i cili mori mjekim në Spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.