Efektivi i “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj, i cili ka pranuar se qëlloi me armë zjarri për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha është lënë në “arrest shtëpie”.
Gjatë seancës së sotme, Hajdaraj u shpreh i penduar ndërsa deklaroi se donte t’i kërkonte një falje publike familjarëve të 25-vjeçarit.
“Sillni familjen këtu, dua t’i kërkoj falje. Kam marrë një jetë njeriu, merrni çfarëdo lloj mase ndaj meje. Jam penduar”, është polici 31-vjeçar, sipas televizionit News 24.
Hajdaraj ka thënë se kjo që i ka ndodhur atij, uron që “mos i ndodhtë askujt!”.
Ai ka treguar se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda 4-5 minutave.
“Merrni çfarë mase të doni, unë kam vrarë një njeri. Gjithçka ka ndodhur në ora 01.9 min për 4 ose 5 min ka qenë situata. Kam njoftuar sallën operative dhe kemi kërkuar përforcime për një njëri të dyshimtë. Kjo që ka ndodhur me mua s’do ja uroja askujt në jetë”, mësohet të ketë thënë ai, citon Shqiptarja.com.
Në dëshminë e tij, Nevaldo Hajdaraj thotë se Rasha sapo ka parë patrullën e policisë është larguar me vrap duke kaluar rrugën e duke u futur në rrugica. Efektivi shprehet se është vendosur në ndjekje të tij pasi Rasha nuk ndalonte vrapin dhe gjatë ndjekjes ka vënë re që 25-vjeçari ka nxjerrë nga brezi një send, në dukje armë zjarri.
Akuza zyrtare e lexuar në seancën gjyqësore për policin Nevaldo Hajdaraj, është ajo e “Vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, e parashikuar nga neni 83 i Kodit Penal, i cili parashikon një dënim deri në shtatë vite burg.