Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali retorikë politike me fjalët e babait të 25-vjeçarit të vrarë: Më tha dua drejtësi nga shteti im


Ministrja Elisa Spiropali ka rrëfyer takimin e saj me babain e 25-vjeçarit Klodian Rasha, gjatë vizitës për ngushëllim para dy ditësh.

Në shkrimin e saj në Facebook, Spiropali ka cituar fjalët e babait të të riut që u qëllua për vdekje nga një efektiv policie ndërsa ka sulmuar opozitën dhe gazetarët të cilët i quan hiena e çakej.

“Më mbetën në mendje fjalët e fisme të babait të Klodian Rashës. “Dhimbjen e kam të madhe. Dua drejtësi nga shteti im. Vendin tim, shtetin tim, e dua. I kam shërbyer si ushtarak. Dhe gjithmonë do i shërbej. Edhe policët janë djemtë tanë. Nuk dua të preket asgjë në emër të djalit tim”.

Edhe pse në rrethanat e një dhimbjeje tepër të madhe, ishin fjalë të një kthjelltësie të thellë, të një ndjeshmërie tepër prekëse. Sa larg këtij njerëzillëku, kësaj ndjeshmërie dhe vërtetësie autentike shqiptare, është lukunia e hijenave politike, çakejve paramediatikë, që ngazëllehen nga gjaku për të frymëzuar dhe nxitur dhunë ndaj institucioneve, qytetit, dhe policisë së shtetit. Sa dritëshkurtër është beteja e dëshpëruar e vulëmburve që pasi s’kanë lënë dreqni pa bërë, duke parë se nga besueshmëria dhe simpatia popullore s’kanë më ç’të humbin, egërsohen edhe më tepër.” – shkruan Spiropali.

Më tej, ministrja shkruan opozita e ka të sigurt humbjen me 25 prill, kjo sipas sondazheve serioze. Sipas saj, drejtësia po ngrihet dhe Shqipëria po mëkëmbet ndërsa vlerësoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Lleshaj.

“E dinë ata dhe gjithë dynjaja se më 25 Prill e kanë të sigurtë humbjen. J’ua dëshmojnë sondazhet serioze. Drejtësia po ngrihet. Shqipëria po mëkëmbet. Veset e tyre parapolitike po tregohen me gisht.

Polici i akuzuar është sot në burg dhe po hetohet. Ministri Lleshaj edhe pse pa asnjë lidhje të tërthortë apo të drejtëpërdrejtë me ngjarjen dha dorëheqjen. Dorëheqja e tij, mes tjerash, tregoi qartë humnerën morale, njerëzore, profesionale, që ndan atë vetë dhe shumicën tonë, nga ata që kemi përballë.” – vijon reagimin Spiropali.

Spiropali vijon reagimin e saj duke kujtuar vrasjen e katër qytetarëve më 21 janar 2011 duke akuzuar ish-kryeministrin Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Basha e asokohe kreun e LSI-së, Meta.

Ajo e mbyll reagimin e saj duke shkruar se ata nuk do e ndalin integrimin e Shqipërisë drejt BE-së dhe se do e marrin përgjigjen më votë në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

“E pashembullt në historinë e botës; Sali Berisha mburret jo vetëm se vrau në 21 Janar, por edhe se paska pasur ndërmend plumbin ballit liderit të opozitës. Madje, për këtë qëllim makabër, paska pasur gati edhe snajperat mbi Kryeministri si mbi kullën e malcisë.

Lulzim Basha, aso kohe ministër i brendshëm, nuk guxoi t’ia dorëzonte prokurorisë gardistët që vranë, por i fshehu edhe ata në kullë te snajperat. Bashkë me vrasësit, fshehu provat e vrasjes.

Ilir Meta, i quajti protestuesit kokëpalarë sepse dolën në shesh për bllokun e tij. Bllok që, me gjasa, nuk e ka grisur, e mban hapur për paligjshmëri, dhe gjoba të tjera. Këta urryes të papërmbajtur të shtetit, këta shkatërrues serialë, këta zjarrvënës, këta haxhi-qamilë modernë po duan të vijnë në pushtet me dhunë. Për të mirën e tyre dhe gjithë të tjerëve, për një mijë arsye, bëjnë mirë ta harrojnë se do mund të plotësojnë orekset e tyre ogurzeza.

Përgjigjen do ta marrin me ligj dhe me votë. Çeta e keqbërësve në fjalë nuk do lejohet ta mbajë Shqipërinë larg Evropës, peng të familjeve të tyre. Shqipëria Evropiane do të bëhet. Me shqiptarët. Me Edi Ramën. Me Partinë Socialiste. Më 25 Prill shkatërruesit e pangopur të 30 viteve do dalin nga skena përgjithmonë, dhe Shqipëria do marrë frymë lirisht.” – mbyll postimin në Facebook, Spiropali.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *