Vendosni fjalën kyçe....

Taulant Balla: Miratohet opinioni final i “Venecias”, ndryshimet kushtetuese në përputhje me standardet


Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla thotë se Komisioni i Venecias ka miratuar sot opinionin final për ndryshimet kushtetuese dhe ato të kodit zgjedhor në Shqipëri, pas kërkesës së çuar nga Presidenti Ilir Meta.

Balla, thotë se Venecia i ka cilësuar këto ndryshime në përputhje me standardet e praktikat e mira zgjedhore dhe se i fton palët politike të respektojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias. Balla thotë se ndryshimet kushtetuese dhe ato të Kodit Zgjedhor janë vlerësuar në përputhje me standardet më të mira zgjedhore.

“Sot është miratuar opinioni final i Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ato të kodit zgjedhor ku theksohet se ndryshimet e mësipërme janë në përputhje me standardet e praktikat e mira zgjedhore.

Komisioni kritikon veprimet e djegjes së mandatave nga opozita jashtëparlamentare si akt kundër trashëgimisë elektorale europiane dhe shprehet se opozita nuk mund të jetë sot në rolin e kritikuesit, kur ajo vetë e la rrugës procesin institucional.”– shkruan Balla.

Ai thekson se raporti i Komisionit të Venecias e vlerëson Kuvendin legjitim, për sa kohë ka të gjithë kuorumet e nevojshme.

“Komisioni Venecias vlerëson se Kuvendi është dhe mbetet legjitim për sa kohë ka gjithë kuorumet e nevojshme për çdo vendimarrje.

Lidhur me koalicionet brenda ndryshimeve ligjore, opinioni Venecias i vlerëson gjithashtu në përputhje me standardet më të mira të zgjedhjeve.

Duhet të jemi të qartë se Komisioni i Venecias nuk analizon procedurën parlamentare.

Nga ana tjetër, Komisioni i Venecias thekson nevojën që gjithë palët të kontribuojnë për organizimin e zgjedhjeve në 25 prill 2021 dhe rekomandon disa ndryshime të tjera ligjore pas zgjedhjeve të 2021.

Për Kuvendin e Shqipërisë dhe për Grupin Parlamentar Socialist në veçanti, sot e rëndësishme është çertifikimi i procesit ligjvënës në fjalë dhe tani sipas traditës sonë të bashkëpunimit me Venezian, të gjitha palët të respektojmë rekomandimet e Komisionit të Venecias.”– shkruan Balla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *