Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar lidhur me protestat katërditore që po zhvillohen për shkak të vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Përmes një postimi në Facebook, Kombet e Bashkuara në Shqipëri i shprehin ngushëllimet familjes së Klodian Rashës, por ndërkohë u bëjnë thirrje protestuesve të tregohen të vetëpërmbajtur.
“Kombet e Bashkuara në Shqipëri i shprehin ngushëllimet e tyre të thella familjes së Klodian Rashës.
Ne dënojmë vrasjen e një civili të paarmatosur nga forcat e rendit. E drejta për jetë dhe mbrojtja e jetëve njerëzore është kryesore në çdo kohë.
E mirëpritëm njoftimin nga autoritetet për një hetim. Kërkojmë që ky hetim të jetë i shpejtë, i pavarur dhe transparent.
E kuptojmë shqetësimin dhe zemërimin publik të shprehur nga njerëzit dhe bëjmë thirrje që protestat të jenë paqësore dhe të sigurta.”- thuhet në njoftimin e OKB-së.