Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e ditës së sotme në Shkodër, duke e drejtuar gishtin nga opozita si përgjegjëse.
Duke iu referuar liderëve të partive opozitare, Rama thotë se po i përdorin fëmijët si kamikazë.
“Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme!”- shkruan Rama.
Komente të tilla ai i bëri pasi në protestën e sotme u panë fëmijë me shkopinj dhe me fishekzjarre në duar.
Ndërkohë nuk ka vonuar një reagim dhe nga Sekretari i Përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi, pas këtyre komenteve të kryeministrit. Bardhi thotë se shkaktarët e vetëm të revoltës dhe zemërimit është dhuna 7-vjeçare e Ramës.
“Gjuha e urrejtjes dhe përpjekjet e dëshpëruara të Edi Ramës për të fajësuar PD për 7 vitet e dështimit, premtimeve boshe dhe arrogancës së tij, tregojnë sa larg realitetit ku jetojnë shqiptarët, është ky njeri dhe shpura e tij. Keqqeverisja, dhuna dhe arroganca 7-vjeçare e Edi Ramës janë shkaktarët e vetëm të revoltës dhe zemërimit të të rinjve”, shprehet Bardhi.