Vendosni fjalën kyçe....

PËR “ELITËN” E TOPTHAVE


Nga Adriatik Lapaj

Nuk e kanë me pronën publike jo, e kanë me prishjen e statusquo-s.

U intereson prona publike?

Atëhere paguani rregullisht taksat. Mos bëni evazion. Evazion fiskal nuk bënë rinia.

Ngrini zërin kundër lejeve për hidrocentrale në parqet natyrore. As lejet dhe as betonin nuk e ka hedhur rinia.

Ngrini zërin për pyjet që janë masakruar dhe vazhdojnë të masakrohen. Besoj se nuk kanë shkuar t’i presin 18 vjeçarët e sotëm as Lurën, as Martaneshin e as masivet e malësive të Librazhdit.

Ngrini zërin kur parqet kthehen në pallate. Sigurisht që pallatet mbi lulishte në Tiranë nuk i ka ndërtuar rinia.

Pronë publike ishte dhe Teatri Kombëtar. Rinia aty për aq sa mund ta themi kishte një ishull kulture. E shembën ata që nuk ishin fort të rinj.

Pasuri publike është dhe nafta, kromi, madje pasuritë më të mëdha, por nuk ju kam dëgjuar të shqetësoheni pse i vjelin dhe shkatërrojnë një grup njerëzish duke përdorur si skllevër banorët e zonave e duke na lënë ne si popull me gisht në gojë. Që të jemi të drejtë me faktet, në këtë sektor si skllevër shfrytëzohen kryesisht të rinjtë.

Pasuri e jona është dhe deti. Ngrijeni zërin pse ndotet dhe lihet në mëshirë të fatit. Ngrijeni zërin pra kur ai mbushet me inerte. Bëjeni! Inertet në bregdet nuk ka shkuar t’i depozitojë rinia e Tiranës.

Pasuri e këtij populli ishte dhe ushtria, por nuk u pa kush nga këta të goglave dhe topthave të pemës së Vitit të Ri të shqetësohej pse u katandis nga vjedhja thjesht në një repart xhenier të një ushtrie normale. Sigurisht që ata “vandalët” e bulevardit nuk kanë gisht te kjo maskaradë.

Do doja shumë të ishte shqetësim për pronën publike ky i “elitës” së Tiranës, por më duhet të them se e besoj fort se është veçse një shqetësim se mos u prishet statusquo-ja. Ndjejnë frikën se ndryshimi i statusquo-s do i zhvesh nga favoret e padrejta të mondanitetit të shëmtuar të Tiranës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *