Vendosni fjalën kyçe....

117 të mitur ishin mes mbi 300 të shoqëruarve në polici për protestat në Tiranë (SHIFRAT ZYRTARE)


Pesë ditë protesta janë zhvilluar që pas vrasjes së Klodian Rashës më 8 dhjetor dhe duket se ende do vazhdojnë.

Gjatë këtyre ditëve kemi parë të mitur duke protestuar dhe oficerë policie që i ndalonin ata me dhunë, në disa raste duke vrapuar deri edhe në hyrje të pallateve siç kanë treguar disa video.

Por sa persona janë shoqëruar deri tani nga këto protesta?

Duke iu referuar të dhënave të Avokatit të Popullit për të paktën katër ditët e para të protestave në Tiranë, pasi të dhënat zyrtare për protestën e së dielës nuk janë konfirmuar ende, janë shoqëruar në komisariate gjithsej 117 të mitur.

Sipas këtyre të dhënave, janë shoqëruar mbi 300 persona: 124 shoqërime kanë qenë deri në dy ditët e para (09 dhe 10 dhjetor), 124 më 11 dhjetor dhe 49 shoqërime më 12 dhjetor).

Përsëri duke iu referuar të dhënave të Avokatit të Popullit, minorenët janë lënë të lirë pas shoqërimit të tyre.

Një ndër shqetësimet kryesore të Avokatit të Popullit pas një numri kaq të lartë të personave të shoqëruar, ka qenë moszbatimi i distancës sociale të detyrueshme për t’u zbatuar për shkak të pandemisë.

“Ky është një numër disa herë më i lartë se kapacitetet e shoqërimit dhe ndalimit në drejtoritë vendore dhe komisariatet e kryeqytetit, të cilat kanë mundësi akomodimi vetëm për 33 të shoqëruar dhe rreth 25 të arrestuar. Këto janë kapacitetet në gjendje normale, pa marrë në konsideratë masat shtesë të distancimit për shkak të emergjencës shëndetësore.”- ngrinte shqetësimin Avokati i Popullit pas protestave të dy ditëve të para.

Sa persona janë arrestuar?

Ndërkohë po t’i referohemi të dhënave të bëra publike nga Policia e Tiranës përgjatë këtyre ditëve, zbulojmë dhe se sa ka qenë numri i personave të arrestuar. Siç paraqitet dhe në tabelën e mëposhtme, duke iu referuar të dhënave zyrtare të bëra me dije nga vetë Policia përmes njoftimeve për shtyp, i bie që numri i personave të arrestuar ka qenë 92, ndërsa janë proceduar penalisht 314 të tjerë.

Këto janë të dhënat zyrtare për pesë ditë protesta në Tiranë.

Ditën e djeshme ndërsa ishte e ftuar në studion e “ABC News”, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka deklaruar se institucioni që drejton do identifikojë të miturit që marrin pjesë në protestë dhe do i trajtojë ata me psikologë.

 “Po t’i referohemi ligjit fëmijët nuk duhet të dalin në protestë të pa shoqëruar nga prindërit, që nuk duhet të lejojnë të përdoren për qëllime politike. Edhe kur ndalohen duhet te jenë psikologët pranë, pasi është shumë e vështirë t’i trajtosh minorenet. Unë si ministre kam një shqetësim shumë të madh për këta fëmijë, kur të mbarojë gjithçka do të interesohemi që të kemi emrat, ti identifikojmë se një pjesë janë të shkollave 9 vjeçare dhe gjimnazistë. Kjo që ka ndodhur është e rëndë edhe për zhvillimin e tyre. Kur bëjnë krime në moshë kaq të vogël, imagjinoni më vonë. Me shërbimin psiko-social që kemi në shkolla…. të djegësh apo qëllosh me gurë apo lëndosh efektivët e policisë. Pamjet që pamë në Shkodër, të gjithë fëmijë të vegjël, sa e rëndë është. Një pjesë që i kemi identifikuar janë në klasë të 6-të apo 7-të.” – tha Kushi.

Ajo shtoi se protestat pas vdekjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen dhe se të rinjtë dhe fëmijët po përdoren politikisht. Kushi tha se ngjarjet po hetohen për të gjetur personat që i kanë nxitur të dalin në protesta të rinjtë e të miturit./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *