Avokati i Popullit (AP) publikuar të dhënat paraprake të inspektimit për protestën e djeshme në Tiranë.
Nga të dhënat që referon AP janë shoqëruar 51 persona nga të cilët 9 kanë qenë të mitur.
Të miturit e shoqëruar janë lënë të lirë pas verifikimit përveç njërit prej tyre i cili është gjetur me lëndë piroteknike.
Nga personat e shoqëruar kanë qenë edhe tre femra.
Nga intervistimet me të ndaluarit, Avokati i Popullit thotë se nuk është ushtruar dhunë ndaj tyre.
Njoftimi i plotë:
Avokati i Popullit ka vijuar punën në terren duke monitoruar nga afër protestat si edhe situatën pas përfundimit të protestave, duke kryer inspektime dhe vizita në komisariatet e kryeqytetit.
Nga të dhënat paraprake të inspektimit, si dhe të intervistave dhe ankesave të mbledhura nga përfaqësuesit e institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me protestën e datës 13.12.2020 rezulton situata në vijim:
Më datë 13.12.2020 janë shoqëruar gjithsej 51 persona, nga të cilët 9 të mitur. Përgjithësisht të miturit janë lënë të lirë pas verifikimit të tyre, me përjashtim të një rasti kur ata janë gjetur me lëndë piroteknike. Ndër personat e shoqëruar është konstatuar se janë shoqëruar edhe tre femra.
– Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë shoqëruar 2 persona, nga të cilët nga të cilët nuk ka pasur persona në moshë të mitur.
– Në Komisariatin e Policisë Nr.1, janë shoqëruar gjithsej 16 persona, nga të cilët 1 në moshë të mitur si dhe 2 vajza.
– Në Komisariatin e Policisë Nr.2, janë shoqëruar gjithsej 10 persona, nga të cilët 3 në moshë të mitur dhe 1 vajzë.
– Në Komisariatin e Policisë Nr.3, janë shoqëruar gjithsej 18 persona, nga të cilët 6 në moshë të mitur.
– Në Komisariatin e Policisë Nr.4, janë shoqëruar gjithsej 4 persona, nga të cilët nuk ka pasur persona në moshë të mitur.
– Në Komisariatet e Policisë Nr.5 dhe Nr.6 nuk ka pasur persona të shoqëruar.
Në intervistat e zhvilluara me përfaqësuesit e institucionit të Avokatit të Popullit, disa prej të shoqëruarve pretenduan se kanë marrë pjesë në protestë, por nuk kanë kryer veprime të dhunshme ndërsa disa të tjerë pretenduan se kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë marrë pjesë në protestë. Po kështu, nga personat e shoqëruar pati një numër të kufizuar pretendimesh për ushtrim të dhunës.
Gjithashtu, përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë monitoruar dje dhe sot Qendrën Kombëtare të Shërbimit Mjekësor për të marrë informacion mbi numrin e personave që kanë marrë shërbim mjekësor në urgjencë. Nga informacioni i mbledhur ka rezultuar se në Spitalin e Traumës kanë marrë shërbim mjekësor 2 efektivë të policisë me dëmtime në krah dhe në këmbë, dhe një protestues, të cilët pasi janë mjekuar kanë lënë ambjentet e spitalit.
Avokati i Popullit mbetet në ndjekje konstante të situatës dhe do të përditësojë qëndrimet e tij edhe në vijim, sikurse që nga dita e parë.