Vendosni fjalën kyçe....

Balla mbron Veliun: Akte si ai me 25-vjeçarin mund të ndodhin kudo, djegia e pemës festive e rëndë


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, pohoi sot se ngjarje të tilla të rënda si ajo e 25-vjeçarit në Tiranë, ndodhi në vend të botës.

Ai ishte i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ku ndër të tjera dënoi djegien e elementëve festivë gjatë protestave. Po kështu Balla krahasoi reagimin e policisë në SHBA me atë të policisë shqiptare.

“Shihni protestat në SHBA, nëse do më thoni që qasja këtu është më e ashpër se në SHBA unë do thoja po, ka një tejkalim. Por, mos harro jemi në kushtet kur ke 16 punonjës policie të plagosur, njëri prej tyre rrezikon shikimin, gjej rastin të falenderoj qeverinë që e ka çuar për kurim jashtë vendit. Goditja dhe vendosja e zjarrit tek elementët që përbëjnë festën e Krishtlindjes është e rëndë. Unë jam mysliman, kam një bashkëshorte ortodokse dhe festojmë të gjitha festat. Nuk gjej arsye të them si djali im del nga shtëpia dhe i vë zjarrin bredhit.” – tha Balla Balla.

Ai theksoi më tej se efektiv ka përdorur armën në kundërshtim me ligjin ndërsa pohoi se ngjarje të tilla mund të ndodhin në çdo vend të botës por qeveria ka pasur një reagim model duke vendosur një standard të lartë me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Lleshaj.

“Ka ndodhur një akt i rëndë, një polic ka përdorur armën kundër ligjit. Kjo qeveri e ka marrë masën më të rëndë, ka dhënë dorëheqjen ministri. Jemi në kushtet kur ky punonjës, me aq sa kam parë dhe provat që kanë dalë, jam i bindur që e ka thyer ligjin, por është në masë arresti me burg dhe i akuzuar për vrasje. Raste të tilla mund të dalin në çdo vend të botës. Për fat të mirë sot në pushtet është kjo qeveri që vendos standardin e lartë. Dha dorëheqjen ministri.” – shtoi Balla.

Në fund Balla mori në mbrojtje drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Veliu, duke thënë se ka bërë punë të mrë dhe se nuk ka përgjegjësi personale për ngjarjen.

“Tek drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk gjej të ketë përgjegjësi personale. Përgjegjësinë politike e mbajti vetëm ministri, ishte akti moral tejet i lavdërueshëm. Unë e vlerësoj punën e tij në krye të asaj ministrie.” – shtoi Balla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *