Ish-ministri Gjiknuri ka pohuar sot se PS-ja është në avantazh për zgjedhje e 25 prillit 2021.
Ai ishte i ftuar në Report TV ku tha se të gjitha sondazhet e nxjerrin fituese PS-në por sipas tij deri në prill ka ende kohë.
“Partia Socialiste do bëjë të sajën. Elektorati është ai që vendos. Ne mendojmë se kemi avantazh për shkak të asaj që përfaqësojmë dhe mënyrës si kemi qeverisur, me të mirat dhe të këqijat. Të gjitha sondazhet dhe të gjitha të dhënat tregojnë se PS-ja kryeson. Zgjedhjet janë në prill, kemi kohë akoma.” – tha ai.
Po kështu Gjiknuri foli edhe për Opinionin e Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke thënë se ajo rrëzoi pretendimet e opozitës jashtë parlamentare.
“Ne ishim të bindur që Venecia nuk do të gjente asgjë thelbësore negative. Së pari konfirmoi atë që ne e kishim thënë, që nuk kishte cënim të stabilitetit ligjor elektoral. Të gjitha ndryshimet nuk ishin thelbësore. Së dyti ‘Venecia’ tha të gjitha ndryshimet janë në përputhje me standardet dhe asgjë nuk preku sistemi. Nuk krijoi avantazhe dhe disavantazhe për njërën apo tjetrën palë. Nuk cënoi asnjë standard ndërkombëtar. Edhe implementimi i hapjes së listave është një praktikë që e gjen në shumë vende dhe këtë e konfirmon edhe ‘Venecia’.” – shtoi ai.