Gjykata Kushtetuese pas një kohe të gjatë jashtë funksionit duket se do plotësojë vendet e saj. Kjo, pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ditën e sot dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë kandidatin për vendin e lënë vakant nga shkarkimi i ish-gjyqtarit Fatos Lulo.
Për këtë vakancë KED-ja ka dërguar në Kuvend vetëm një kandidaturë, atë të Altin Binajt, edhe pse ligji e kërkon që për një vakancë të ketë të paktën 3 kandidatë. Por në kushtet që për këtë vakancë ka patur tre thirrje të njëpasnjëshme janë shtyre për shkak se nuk ka pasur asnjë kandidaturë ose janë s’kualifikuar.
KED-ja pritet që të dërgojë edhe në Presidencë kandidaturat për vendin vakant të krijuar për shkarkimin e Besnik Muçit.
Për këtë pozicion janë në garë Sonila Bejtja, Aleksandër Toma dhe Zhaklina Peto, me këtë të fundit që u rikthye në garë vetëm pas vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në datën 14.12.2020, vijoi mbledhjen, sipas njoftimit të datës 11.12.2020,në lidhje me diskutimin dhe miratimin e listës përfundimtare të renditjes, si dhe i raportit përkatës, të cilat do të dërgohen më pas pranë organit të emërtesës.
Në mbledhjen e sotme merrnin pjesë anëtarët e KED, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, përfaqësuesi i Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës.
KED po sot, i përcolli këto akte pranë organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”-thuhet në njoftimin e KED-së.