Vendosni fjalën kyçe....

Lapraka si urbanizmi i vërtetë në Tiranë


Alias-Autor: Andy Warhol

Muzika si shprehje e emocioneve të njeriut u zhvillua në një formë shumë ndryshe dhe u bë shumë popullore kur tekstet e këngëve përvetësuan fjalorin urban dhe u bënë politike.

Që nga stili rock deri tek punk, por në veçanti spikati stili HIP HOP.

Grupet si Public Enemy, kRS One, Tupac Shakur, Beastie Boys duke përdorur fjalorin tipik urban të zonave ku jetojnë dhe përditshmërisë së tyre komplekse që nga racizmi, vështirësitë ekonomike, krizat sociale etj u bënë një udhërrëfyes kulturor, ideologjik tek të rinjtë.

Kjo formë në hapësirat shqiptare pati një zhvillim të konsiderueshëm në Kosove që në fund të viteve 90 dhe kulmoi në vitet 2000. Kjo sepse në Kosovë s’kishte Festival RTSH-je. Kurse në Shqipëri, artistët vazhduan t’i këndojnë dashurisë dhe emigracionit duke ruajtur një profil folklorik në raport me publikun e tyre dhe kohën.

Pse!

Kjo ka një zanafillë që nga koha e komunizmit ku këngëtarët i këndonin dashurisë dhe motrës, por nuk ju lejohej as të lëviznin në skenë (jo më të kërcenin). Festivali i RTSH-së ishte dhe është realisht degjeneruesi i vërtetë i muzikës shqiptare dhe gjithmonë ka rrënuar dhe idetë e reja, që nga të rinj naivë përpiqeshin të promovoheshin nëpërmjet tij.

Kjo spikati sidomos në vitet 90 ku pothuaj e gjithë skena rock shqiptare bëri gabimin e madh që u vetëorientua drejt këtij festivali. Hartuesit e teksteve, edhe pse të rinj, strukturën e tyre e asaj çfarë hidhnin në letër e kishin shume simbolike, duke bërë që dhe kitarat të ishin tinguj të humbur në hapësire dhe jo distorcione të egra ndaj politikës.

Shteti krijoi një mpirje të artit sidomos në periudhën e Rilindasve dhe Mjaftistëve duke marrë ata përsipër rolin edhe të politikës, edhe të protestës. “Mjafti” mori përsipër rolin e protestës me koncertet e tij për të krijuar platformë të “re” tek rinia, dhe koha tregoi që e keqpërdori për të dëmtuar rininë.

Erion Veliaj u shndërrua në njeriun që dhe grafiti në rrugë, që janë një formë proteste urbane, e përvetësoi si formë dekori bashkiake, duke përdorur tenderat e tij të famshëm për të joshur disa hallexhinj. Po ashtu nëpërmjet koncerteve të tij korruptive të majtët dhe Veliaj u përpoqën që të mblidhnin popullin në shesh.

Të majtët dallohen që e përdorin artin për të manipuluar të rinjtë dhe përmes këtyre butaforirave ja arritën për një periudhë të bëhen popullorë. Edhe kur platforma të pavarura si Diversanti apo Sputnik dilnin si një formë reale e protestës urbane artistike, këto luftoheshin nga stafi i Veliajt si jo politikisht korrekte.

Kulmi u arrit me pjesëmarrjen e Veliajt në filmin e Ermal Mamaqit, “Dy gisht mjaltë”, si një pjesëmarrje për të qenë popullor tek të rinjtë e periferisë dhe më gjerë. Dhe pastaj ngjarja me extreme ishte dalja e Ramës me një fjalor të papërshtatshëm për një kryeministër tek filmi tjetër i Ermal Mamaqit ” I love Tropoja”. Ky kryeministër që pretendon artistin modern alla Damien Hirst, për të hyrë kudo në mendjet e të rinjve, përdor filmat trashë që të fitojë votues.

Ironia si vazhdon historia

Zona e periferisë urbane të Tirane dhe më aktivja ndërkohë është zona e Laprakës, Kamzës, etj. Këto zona janë lënë në një mjerim kulturor total. Praktikisht aty të rinjtë nuk kanë asgjë për të bërë përveç se të punojnë. Por duke qenë se pune s’ka, kafet, klubet dhe krimi janë të vetmet fusha ku i riu bie në kontakt.

Kjo zonë e sigmatizuar si “Maloke” sigurisht që nuk mund të përvetësohet nga koncertet e bulevardit dhe nga festat ordinere të bashkisë. Duke qenë se jemi në kohë pandemie kjo zonë si dhe zona të tjera u izolua më shumë. Prej kohësh kjo zonë ka krijuar kulturën e vet urbane si dhe idhujt e rinj të tyre.

Në dallim nga publiku “fisnik” i Bllokut, që akoma adhuron politikanë si Rama dhe Veliaj, të rinjteë e periferisë adhurojnë artistë dhe sjellje, Videogame, makinat dhe sporte. Ky publik është realisht më i shkëputuri nga politika dhe propaganda e saj e shëmtuar. Ata adhurojnë artistët e tyre dhe janë besnikë ndaj tyre. Ata nuk janë rritur si bllokmenët, të cilët janë edukuar që fëmijë që çdo gjë që do mendojnë duhet të jetë ok për të gjithë. Ata ndajnë hobi me njëri-tjetrin dhe nuk kanë nevojë për pseudokulturën shtetërore.

Ishte pikërisht ky publik që shpërtheu në rrugët e Tiranës, që bëri një protestë shembullore duke vënë në shënjestër pikërisht policinë arrogante shtetërore duke i thënë që “Ju nuk e vrisni dot kaq kollaj nje anëtar tonin”. Pikërisht, Klodian Rasha ishte një nga ata. Nqs do ishte vrarë një i ri në bllok nuk do ndodhte kjo protestë dhe kuptohet pse. Sepse rinia e bllokut dhe kur ka ekzistuar kanë qenë fëmijët e drejtuesve komunistë që vajtën deri te përdorimi i drogërave, por nuk gjeneruan kulturën e tyre.

Personalisht mora pjesë 2 ditë rresht në këtë protestë dhe vura re që këta të rinj e duan njëri-tjetrin, e dëgjojnë njëri-tjetrin dhe janë në harmoni. Këto janë vlera që publiku i Bllokut dhe i Tiranës se Re nuk i ka.

Të rinjtë e Laprakës e shfrynë zemërimin e tyre tek koshat e plehrave dhe ca semaforë por nuk prekën një biznes privat, ndërkohë që publiku i Bllokut është shndërruar në një publik hajdutësh tenderash në bashkëpunim me qeverinë dhe kanë humbur elementet më të thjeshta si kenaqësia dhe të duash. Shpresoja shumë të shikoja njerëz nga Tirana e Re t’i përkrahnin por pashë pak.

Kjo ndoshta sepse Tirana e Re ka rënë në grackën e Rilindasve dhe s’do të prishë asnjë marrëdhenie me ta, edhe pse e di që është një rrugë drejt humnerës. Publiku i Tiranës së Re ka ngelur brenda disa lokaleve me dekor komunist dhe me muzikë majtiste dhe i ka vdekur nervi për të ndryshuar diçka në jetën e tyre. Unë kam lindur në këtë zonë dhe e shikoj me një keqardhje dhe përbuzje këtë nivel degradimi kulturor dhe mendor.

Respekte per periferinë.

*Shkruar enkas për Hashtag.al

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *