Në ditën e pestë të protestave për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha, aktori dhe regjisori Edmond Budina mbajti një fjalim të gjatë përpara medieve ku denoncoi atë që po ndodh sot në Shqipëri.
Sipas tij, në Shqipëri ka një ndërthurje mes mafias dhe pushtetit. Budina e nisi fjalimin e tij duke iu referuar forcave të shumta policore që po ruanin selinë e Partisë Socialiste.
Dike përdorur termin “halabak” që kryeministri Edi Rama e kishte përdorur për protestuesit, Budina tha që e ruajnë “simbolin e rilindjes” nga halbakët si ai.
“Këta nuk e mbajnë veten për halabakë. Këta që vjedhin me miliona euro në të gjitha aferat e tyre korruptive. Unë i kam parë vetë me sytë e mi civilë të futur mes njerëzve që rrëzonin dhe shkatërronin. Plus që arrestojnë. Kjo është një ndërthurje e mafies me pushtetin. Të gjithë ata nuk janë veç militantë, por janë për mendimin tim forca të errët mafioze që ju ikin interesat ekonomike që kanë. Dhe prandaj them që duhet të jemi përherë të gatshëm për t’u ngritur dhe për t’ua përplasur në fytyrë”, u shpreh Budina.
Regjisori shprehet se qytetarët duhet të jenë përherë të gatshëm për t’u ngritur dhe për t’ua përplasur në fytyrë të vërtetat qeverisë. Ai i bën thirrje dhe opozitës që të mos mendojë se do e ketë fitoren kaq të thjeshtë më 25 prill.
Fjalimi i Budinës:
Shikoni te Partia Socialiste sesa forca policie ka për të ruajtur simbolin e Rilindjes jo të PS. Sepse për mua socialiste këta nuk kanë asnjë gjë. E ruajnë nga ne ‘halabakët’. Nga unë, p.sh, e thashë edhe mbrëmë që jam një halabak që nuk i kam thonjtë e paprerë, siç e shikoni, nuk më kanë marrë nga urat e Parisit dhe të më sjellin këtu.
Nuk më ka akuzuar njëri që kam vila në periferi të Tiranës, që kam vila në Amerikë, që kam 200 milionë euro. Këto janë gjëra që kanë dalë në media, unë nuk akuzoj njeri.
Unë halabaku që jap urdhër të masakrohen njerëzit me gaz lotsjellës, të masakrohen njerëz, të vriten fëmijët, të keqtrajtohen fëmijët dhe të hidhen fëmijët nëpër burgje, ashtu e tha avokati i popullit. Është fakti vërtetë që i futin fëmijët atje, që i keqtrajtojnë.
Këta nuk e mbajnë veten për halabakë. Këta që vjedhin me miliona euro në të gjitha aferat e tyre korruptive. Unë i kam parë vetë me sytë e mi civilë të futur mes njerëzve që rrëzonin dhe që shkatërronin. Dhe ishin policë të veshur civilë. Plus që arrestojnë. Kjo është një ndërthurje e mafies me pushtetin.
Të gjithë ata nuk janë veç militantë, por janë për mendimin tim forca të errët mafioze që ju ikin interesat ekonomike që kanë. Dhe prandaj them që ne duhet të jemi përherë të gatshëm për t’u ngritur dhe për t’ua përplasur në fytyrë.
Nuk është kaq e thjeshtë kjo punë. Dua t’i bëj një thirrje dhe opozitës këtu që të mos e flenë mendjen se në 25 do ta fitojnë lisho. Këta çdo gjë e kanë të organizuar, kanë mafien nga mbrapa, kanë policinë nga mbrapa. Dhe prandaj nuk lëshohet Ardi Veliu. Përgjegjësia duhet të jetë shumë e madhe sepse këta nuk njohin njerëzillëk.
Ne ua kemi thënë disa herë, protestuam në mënyrën me paqësore gati tre vjet te Teatri Kombëtar dhe këtyre nuk i hyri gjemb në këmbë, erdhën dhe e shembën Teatrin me njerëzit brenda. A e kuptoni se ç’kriminelë janë këta. Dhe tani kërkojnë qetësi, të ruajnë pronën publike.
Po Teatri nuk ishte pronë publike? A ishte e drejtë e qytetarëve që ai truall atje të mos transformohej? Të mos vidhej nga mafiozët e pushtetit sepse aty duan të ndërtojnë kulla? Atyre nuk u intereson fare Teatri. E keni parë se si Teatri i Operas i mbyllur, të gjitha teatrot të mbyllura. Veprimtaria kulturore në Shqipëri është zero. Dhe pse? Sepse këtyre u intereson që njerëzit t’i mbajnë injorantë. T’i mbajnë të nënshtruar, të shtypur. Këtë bëjnë edhe me policët.
Pyetini këta policët që janë mbrapa meje: A e marrin shpërblimin që kanë më tepër për orët e jashtëzakonshëm që bëjnë? Nuk marrin fare por janë të bindur sepse është buka e gojës, buka e kalamajve.
Shumë prej tyre më kanë kapur, më kanë thënë vazhdoni, më kanë përqafuar, më thonë kemi respekt. Unë them që si qytetarë të gjithë duhet të ngrihemi. Duhet të ngrihen këta intelektualë që rrinë qosheve dhe presin që dikush t’ua rrëzojë këtë qeveri kriminale, këtë qeveri mafioze të korruptuar. Dhe drejtësia duhet të lëvizë, SPAK, Prokuroria. Avokati i Popullit shumë mirë që po vepron, edhe më tej duhet të çohet.
Të gjithë duhet të ngrihen, shoqëria shqiptare nëse do të ndryshojë duhet të ndërgjegjësohet për këtë krim të jashtëzakonshëm. Sepse edhe vdekja e atij djali nuk është manipulim i opozitës. Manipulim i qeverisë që policia e ka vrarë e ka masakruar dhe më pas i bën alibinë dhe çojnë letra të turpshme.
Prandaj të gjithë sëbashku duhet të reagojmë, të reagojmë në mënyrë qytetare, jo në mënyrë të dhunshme. Me një polici që është në kundërshtim me interesat e kombit të vet, që i shërben një grupi të caktuar njerëzish që pasurohen nga dita në ditë. Këta policë nuk marrin rrogë ashtu siç duhet. Pse? Sepse qeveria vazhdon t’i masakrojë. Ne jemi këtu për të protestuar. Të gjithë duhet të protestojmë. Gjithë Shqipëria duhet të ngrihet. Faleminderit, bëfshi natën e mirë!