Grupi militant islamik me bazë në Nigeri “Boko Haram” ka deklaruar se qëndron pas rrëmbimit të qindra fëmijëve në shkollë javën e kaluar.
Ngjarja e rëndë ndodhi në shtetin veri-perëndimor Nigerian, Katsina. Më shumë se 300 nxënës të shkollës për djem janë zhdukur, por të tjerët kanë mundur të arratisen dhe të shpëtojnë.
Autoritetet më herët kishin fajësuar “banditët” për sulmin.
Grupi i Boko Haram, ka qenë famëkeq gjatë dekadës së fundit për rrëmbimt në shkolla, përfshirë një ngjarje të ndodhur në Chibok në 2014, por këto kanë ndodhur në veri-lindje.
Siç shkruan BBC, në një mesazh audio në lidhje me rrëmbimet udhëheqësi i “Boko Haram”-it Abubakar Shekau tha “ajo që ndodhi në Katsina ishte përgjegjësia jonë” dhe se grupi i tij kundërshton arsimin perëndimor.
Këtë vit qindra njerëz në rajonin veri-perëndimor të Nigerisë janë vrarë në sulme nga ato që autoritetet i kanë quajtur banda kriminale, por deri më tani ka qenë e paqartë nëse ata kishin lidhje me Boko Haram-in.
Grupi militant ka zhvilluar një kryengritje brutale që nga viti 2009, i përqendruar kryesisht në Nigerinë veri-lindore. Dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur dhe miliona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Banorët që jetojnë pranë Shkollës së Mesme Shkencore të Qeverisë në Kankara i thanë BBC-së se ata dëgjuan të shtëna me armë rreth orës 23:00 javën e kaluar të premten dhe se sulmi zgjati për më shumë se një orë.
Personeli i sigurisë në shkollë arriti të zmbrapsë disa nga sulmuesit para se të mbërrinin përforcimet e policisë.
Policia tha se gjatë një shkëmbimi zjarri, disa nga personat e armatosur u detyruan të tërhiqeshin. Studentët ishin në gjendje të kalonin gardhin e shkollës dhe të vraponin për të shpëtuar.
Rreth 800 nxënës ishin në shkollë kur ndodhi sulmi dhe më shumë se 300 janë ende të zhdukur – por nuk është e qartë nëse të gjithë ata mbahen nga rrëmbyesit.
Një djalë 17-vjeçar i cili arriti të shpëtojë nga rrëmbyesit i tha BBC-së se si ai u zvarrit për disa milje nëpër pyll drejt lirisë.
Presidenti Muhammadu Buhari vjen nga shteti Katsina dhe aktualisht ndodhet atje për një vizitë private.
Ai po informohej çdo orë për përpjekjet për të shpëtuar fëmijët, tha zëdhënësi i tij Garba Shehu.
Fëmijët besojnë se 10 shokë të shkollës u morën nga banditët, por kjo ende duhej të verifikohej. Shumë prindër thanë se kishin tërhequr fëmijët e tyre nga shkolla, Guvernatori Massari urdhëroi gjithashtu mbylljen e menjëhershme të të gjitha shkollave me konvikt në shtet.