Ka bërë përshtypje rrëfimi live që TCH ka vendosur të transmetojë ditën e djeshme lidhur me vrasjen e të riut Klodian Rasha.
Pasi ky televizion afër qeverisë ka transmetuar pafund detaje kontradiktore për të ndjerin Rasha, pasi ka transmetuar kronika me tekste të tipit “jeta vazhdon normalisht edhe pa Klodian Rashën” e pasi ka faktorizuar “gjëmën” e madhe për goglat e dëmtuara të pemës, vendos të transmetojë detaje që hedhin dyshime të forta mbi efektivin Nevaldo Hajdaraj.
Dje në programin “Shqipëria Live” u thirr të fliste për Hajdarajn një person i dënuar për fajdet, Ledion Muçaraku, i cili pranoi se e kishte njohur Nevaldo Hajdërajn para se të bëhej polic.
Muçaraku foli për sjelljen e Hajdarajt gjatë kohës kur ai punonte si kamarier në disa lokale në Tiranë dhe se si ai i jepte para borxh.
“Nevaldo Hajdarajn e njoh që prej periudhës 2011, kur ai ka qenë banakier në Rrugën Bardhyl. Aty e kam njohur përmes një shokut tim që nuk jeton më. Nevaldo rreth asaj periudhe që e kam njohur në 2011 jetonte në një shtëpi me qira. Ka qenë një njeri i qetë, gjithmonë flas për periudhën që e kam njohur unë.
Gjatë muajve në vazhdim kur shoku im i thoshte që Lediani jepte dhe fajde, por duhet të kesh një garanci. Po mua a ka mundësi të më ndihmojë dhe mua tha ai, se nesër pasnesër kur të ketë një hall ai do ta ndihmoj.
Pas disa muajsh unë u binda që Nevaldo i jepte shumat që unë ia jepja, jo shumë shifra të mëdha. Se aq e kishte hapin, banakier ishte ai merrte 300 mijë lekë. Ça do hante për vete, ça do pinte…? Gjithsej më kërkoi 500 mijë lekë si fillim por ka qenë i rregullt. Ka mbajtur qëndrim dinjitoz por herë pas here dilte nga shinat.”– tha Muçaraku, i cili është një ish i dënuar për ngritjen e skemave piramidale dhe për dhënien e parave me fajde.
“Me daljen nga shinat”, ai i referohet lojërave në lloto dhe kazino që sipas tij Hajdaraj i luante herë pas here.
“Me sa jam informuar unë… kush është ai që nuk loz lloto? Kush është ai që nuk loz kazino? Ai ndonjëherë binte brenda se rroga mund të merrej në fund të muajit. Me sa jam informuar nëpërmjet shokut që ‘ai i prishi lekët Ledion’ dhe unë i thoja ‘do japësh 150 dhe do t’i merrja 190”. Varet si të binim dakord, se unë për atë u dënova.”- thotë Muçaraku. Po ashtu ai flet për lidhje të Hajdarajt me Partinë Socialiste.
“Unë e ngacmoja: Nevaldo, ça polici do bëhesh ti? ‘Mirë mirë më thoshte, sa të vijë Partia Socialiste në pushtet, do ta shohësh ti bëhem apo nuk bëhem.”– tha Muçaraku.
Efektivi Nevaldo Hajdaraj të premten ka marrë masën e sigurisë “arrest me burg” lidhur me ngjarjen e rëndë të 8 dhjetorit, kur qëlloi me armë 25-vjeçarin Klodian Rasha, të cilin po tentonte ta ndalonte pasi kishte shkelur orarin.
Kryeministri Edi Rama në VKM- në e miratuar për lidhjen e një pensioni mujor për familjen e të ndjerit, e ka quajtur aksident veprimin e policit./ Hashtag.al