Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus po përballet me një thirrje për ndjekje penale lidhur me përfshirjen e tij në drejtimin e forcave të sigurisë në atdheun e tij- Etiopi.
Gazeta britanike “Times” raporton se një ekonomist amerikan i nominuar për Çmimin “Nobel për Paqe”, David Steinman, e ka akuzuar Tedros si një nga tre zyrtarët në kontroll të shërbimeve të sigurisë etiopiane nga viti 2013 në 2015-ën.
Tedros ka qenë ministri i shëndetësisë i vendit nga viti 2005 në vitin 2012 dhe ministër i jashtëm deri në vitin 2016, kur Fronti i tij Komunist për Çlirimin Tigray (TPLF) ishte anëtari kryesor i koalicionit qeverisës.
Analistët dhe zyrtarë të qeverisë amerikane, e kanë renditur TPLF-në në Databazën Globale të Terrorizmit.
“Times” thotë se Steinman, një ekonomist dhe aktivist i nominuar për çmimin “Nobel” për paqe vitin e kaluar, paraqiti ankesën në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë.
Ai pretendon se Tedros ishte një nga vendimmarrësit kryesorë në lidhje me veprimet e shërbimit të sigurisë që përfshinin “vrasjen, ndalimin arbitrar dhe torturimin e Etiopianëve”.
Kjo padi në Hagë vjen pasi Gjenerali Berhanu Jula, shefi i shtabit të ushtrisë së Etiopisë, bëri thirrje muajin e kaluar që udhëheqësi i OBSH-së të jepte dorëheqjen. Ai e akuzoi atë se ishte përpjekur për të siguruar armë për rajonin Tigray, ku ushtria etiopiane po lufton forcat lokale.
Në ankesën e tij, Steinman tregoi një raport të qeverisë amerikane të vitit 2016 mbi të drejtat e njeriut në Etiopi që zbuloi se “autoritetet civile në disa raste nuk mbanin kontroll mbi forcat e sigurisë dhe policia lokale në zonat rurale dhe milicitë lokale ndonjëherë vepronin të pavarura”.
Steinman përmendi dhe “krime të tjera të dokumentuara”. Ai akuzoi Tedros si të përfshirë në “frikësimin e kandidatëve dhe mbështetësve të opozitës”, përmes metodave si “arrestimi arbitrar… dhe paraburgim i gjatë ”.
Sipas Times, ekonomisti gjithashtu pretendonte se Tedros mbikëqyrte “vrasjen dhe shkaktimin e dëmtimit të rëndë trupor dhe mendor, të anëtarëve të fiseve Amhara, Konso, Oromo dhe Somali me qëllim për të shkatërruar ato fise plotësisht ose pjesërisht”.
Tedros i ka mohuar këto akuza. Muajin e kaluar ai pati bërë dhe një deklaratë mbi situatën në vendin e tij: “Ka pasur raporte që sugjerojnë se unë jam duke mbajtur anë në këtë situate. Kjo nuk është e vërtetë dhe unë dua të them se unë jam vetëm në njërën anë dhe kjo është ana e paqes.”
Kjo nuk është hera e parë që Tedros është në qendër të polemikave në atdheun e tij. Në fillim të këtij viti, presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të largohen nga OBSH-ja në korrik të vitit 2021 pasi akuzoi Tedros se nuk bëri mjaftueshëm që Kina të merrte llogari për përpjekjet për të mbajtur të fshehtë shpërthimin e koronavirusit nga pjesa tjetër e botës.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Times / Përshtati në shqip Hashtag.al