Një grup të rinjsh të “Lëvizjes për Universitetin” kanë protestuar sot përpara godinës së ministrisë së Arsimit.
Ata kanë hedhur bojë mbi këtë godinë, si shenjë revolte e diskursit të përdorur nga ministrja Evis Kushi për të rinjtë që kanë marrë në protestat e ditëve të fundit për vrasjen e Klodian Rashës. Ajo shprehej se të miturit do identifikoheshin dhe do trajtoheshin me psikologë.
Të rinjtë shprehen se të protestosh nuk është krim, ndërsa konsiderojnë si kriminale “tentativat për të përndjekur të miturit nëpër shkolla”. Ata kërkojnë dorëheqjen e ministres.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi pak ditë më parë tha në studion e “ABC News” se institucioni që ajo drejton do identifikojë të miturit që marrin pjesë në protestë dhe do i trajtojë ata me psikolog.
Ajo tha se fëmijët po përdoren për motive politike dhe se protesta e dëmton zhvillimin e tyre.
“Po t’i referohemi ligjit fëmijët nuk duhet të dalin në protestë të pa shoqëruar nga prindërit, që nuk duhet të lejojnë të përdoren për qëllime politike. Edhe kur ndalohen duhet te jenë psikologët pranë, pasi është shumë e vështirë t’i trajtosh minorenet. Unë si ministre kam një shqetësim shumë të madh për këta fëmijë, kur të mbarojë gjithçka do të interesohemi që të kemi emrat, ti identifikojmë se një pjesë janë të shkollave 9 vjeçare dhe gjimnazistë. Kjo që ka ndodhur është e rëndë edhe për zhvillimin e tyre. Kur bëjnë krime në moshë kaq të vogël, imagjinoni më vonë. Me shërbimin psiko-social që kemi në shkolla…. të djegësh apo qëllosh me gurë apo lëndosh efektivët e policisë. Pamjet që pamë në Shkodër, të gjithë fëmijë të vegjël, sa e rëndë është. Një pjesë që i kemi identifikuar janë në klasë të 6-të apo 7-të.” – shprehej Kushi./Hashtag.al