Deputeti socialist Adnor Shameti ka akuzuar dy ish-deputetë të LSI-së si organizatorë të protestave në Tiranë për vrasjen e Klodian Rashës.
Në një lidhje live me programin televiziv “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Shameti tha se ka foto dhe video të Përparim Spahiut dhe Floida Kërpaçit, që vërtetojnë se ata janë organizatorët.
“Humbësi i madh në këtë histori është prishja e qetësisë së shqiptarëve. Qëndrimi i kryeministrit Rama ka qenë korrekt. Është e provuar që organizatorët kanë qenë përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare. Kemi foto të këtyre të përfaqësuesve të këtyre partive në protestat e ditëve të fundit.
Ka foto dhe video të ish-deputetëve të LSI-së, Përparim Spahiu dhe Floida Kërpaçi të cilët kanë qenë organizatorë në protestat e fundit. Situata është shumë e thjeshtë. Kemi patur një incident që ndodhi nga një punonjës i policisë së shtetit, i cili është nën hetim”, ka deklaruar Shameti.
Në të njëjtin program ishte në intervistë online edhe ish-deputetja e PD-së Grida Duma, e cila i hodhi poshtë deklaratat e Shametit. Ajo tha se në rast se do të kishte vërtet prova për këtë, PS-ja do t’i kishte bërë me kohë publike.