Një mori udhëheqësish evropianë po karantinohen pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, doli pozitiv për Covid-19.
Siç u bë me dije nga Pallati Elysée në një deklaratë, Macron do të vetë-izolohet për shtatë ditë ndërsa do e vijojë punën në distancë.
Por për shkak të pjesëmarrjes së tij në një sërë takimesh të nivelit të lartë, duke përfshirë këtu edhe një samit të BE-së, Macron nuk do jetë i vetmi ndër liderët europianë që do të karantinohet.
Pasi Macron u konfirmua me koronavirus, disa udhëheqës të tjerë evropianë, duke përfshirë kryeministrin spanjoll, thanë se ata do të izoloheshin gjithashtu.
Nuk dihet ende se si Macron e mori virusin por zyra e tij tha se po identifikonte çdo kontakt të ngushtë të kohëve të fundit që ai ka pasur. Gruaja e presidentit francez Brigitte Macron, e cila është 67 vjeç, është vetë-izoluar por nuk ka simptoma.
Kush tjetër është karantinuar?
Midis atyre që shkojnë në vetë-izolim janë shefi i Këshillit Evropian Charles Michel, kryeministri Spanjoll Pedro Sánchez dhe sekretari i Përgjithshëm i OECD-së Angel Gurría. Siç shkruan BBC, të gjithë u takuan me Presidentin Macron këtë javë.
-Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka rezultuar negativ, por, ashtu si Macron, do të punojë në distancë nga karantina.
-Kryeministri Portugez António Costa, 59 vjeç, ka anuluar të gjitha udhëtimet zyrtare dhe po izolohet dhe po pret rezultatet e testimit. Ai mori pjesë në një drekë pune në Paris me presidentin Macron të mërkurën.
-Kryeministri belg Aleksandër De Croo dhe kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel gjithashtu janë vetë-izoluar pas kontaktit me presidentin francez. Në një deklaratë, Bettel i uroi Macronit “shërim të shpejtë”.
-Kryeministri Irlandez Micheál Martin po kufizon kontaktet e tij ndërsa pret rezultatin e një testimi, tha një zëdhënës i tij.
–Kryeministri francez Jean Castex, 55-vjeç dhe kryetari i parlamentit Richard Ferrand, 58 vjeç, janë gjithashtu vetë-izoluar. Castex, i cili nuk po tregon ndonjë simptomë dhe ka rezultuar negativ, duhej të prezantonte politikën e qeverisë për vaksinimin kundër Covidit të enjten në Senat. Tani këtë po e bën Ministri i Shëndetësisë Olivier Véran në vend të tij.