Një marrës italian i medaljes së Legjionit të Nderit – urdhri më i lartë i meritave të Francës – ka kthyer medaljen në protestë për marrëdhëniet e ngushta të Parisit me Egjiptin.
Lajmi që Emmanuel Macron i dha Legjionin e Nderit homologut të tij egjiptian Abdel Fattah el-Sisi gjatë një vizite shtetërore në Francë javën e kaluar çoi në reagime të ashpra nga shumë italianë të profilit, të cilët thonë se Parisi po tregon mungesë solidaritetit më studentin e vrarë, Giulio Regeni.
Marrëdhëniet midis Italisë dhe Egjiptit janë tensionuar që nga vrasja e Regeni, trupi i të cilit u gjet në anë të një autostrade në periferi të Kajros në shkurt 2016. Në fillim të këtij muaji, prokurorët në Romë akuzuan katër anëtarë të forcave të sigurisë egjiptiane për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e tij.
Prokurorët thonë se Kajro ka refuzuar të bashkëpunojë plotësisht me hetimin.
Politikanët dhe aktivistët u ankuan për mungesën e solidaritetit nga fqinjët e Italisë. Pavarësisht një rezolute në Parlamentin Evropian që bën thirrje për pezullimin e bashkëpunimit të sigurisë me autoritetet egjiptiane dhe dënimin e marrëveshjeve të armëve midis Egjiptit dhe Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, vendet evropiane treguan pak mbështetje me Italinë pas vrasjes. Roma ishte e vetme në tërheqjen e ambasadorit të saj në Kajro.
Macron priti el-Sisin për bisedime në Pallatin Elysée në kundërshtim me kritikat e mprehta nga grupet e të drejtave të njeriut. Ceremonia e dekorimit nuk u publikua në Francë, dhe u shfaq vetëm më vonë në një faqe në internet të qeverisë Egjiptiane.
Shkrimtari dhe ish-eurodeputeti italian Corrado Augias ktheu medaljen e Legjionit të Nderit në ambasadën franceze në Romë të hënën, ‘në kujtim të Giulio Regenit’. Ai tha se ky çmim nuk duhet t’i jepet kreut të një shteti ‘i cili objektivisht është bërë bashkëpunëtor i kriminelëve të neveritshëm’.