Deputetja Rudina Hajdari, nga foltorja e Kuvendit ka folur për vrasjen e Klodian Rashës dhe protestave që kanë ndodhur për disa ditë resht.
Hajdari tha se reagimi i të rinjve vjen pasi atyre u mungon perspektiva dhe politika po “i thyen kockat”
“Do flas për atë që ndodhi ditë më parë me të riun 25-vjeçar. Kam shpenzuar kohë në protesta dhe kam folur me të rinjtë shqiptar për të kuptuar se çfarë i shtyn për të dalë në shesh. Shumë prej tyre ndjejnë dhimbjen e Rashës. Sot shteti shqiptar nuk është në mbrojtje të të rinjve. Më e keqja është reagimi i politikës pas këtyre ngjarjeve. Të rinjtë ndjehen të revoltuar por politika i quan të rinjtë halabakë, rrugeçër, si njerëzit që po e dëmtojnë këtë vend. Por janë këta të cilët i kërkojnë votat e tyre për të mbajtur pushtetin. Si të mos revoltohet një i ri sot kur ëndërron të bëhet trafikant droge për të dalë nga varfëria. Si mos të revoltohet kur prindërit e tyre nuk i shkollojnë dot në shkolla të mira, qoftë dhe për t’i blerë libra. Si mos të revoltohet kur nuk ka prespektivë përpara, shans të ecë në mënyrë të drejtë ku këtu mbizotëron nepotizmi, paraja. Ju jetoni mes luksin, nëpër kodrina, ju e shkelni ligjin sa herë të doni. Atyre po i thyhen kockat, jo vetëm nga polici, por nga politikat tuaja. Po të pranoni revoltën e tyre, ju pranoni dështimin tuaj. Edhe pse ju mund t’i fusni në burgje, ata sërish do të dalin. Drejtësia për ta do vijë” – tha Hajdari.