Mbrëmjen e sotme, “ABC News” ka publikuar disa dokumente sipas të cilave, KQZ i ka ndaluar qeverisë disa aktivitete katër muaj para zgjedhjeve.
Bëhet fjalë për aktivitete si prerja e shiritëve, prezantimi i projekteve, dhurimi i çelësave të shtëpive dhe shpërndarja e lejeve të legalizimeve që sipas KQZ-së nuk duhet të ndodhin më pas 25 dhjetorit.
Sipas këtij dokumenti, qeveria do të vazhdojë punët e veta por për çdo aktivitet, çdo institucion duhet të njoftojë KQZ-në 5 ditë përpara. Nëse kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi do t’i vlerësojë si të ndaluara, ato duhet të anulohen dhe nuk lejohet transmetimi i tyre në media ndërsa janë parashikuar dhe gjoba për ata që nuk binden. Gjobat shkojnë nga 10 000- 500 000 lekë të reja.
Kodi Zgjedhor ka disa pika të cilat as nuk merren në konsideratë nga partitë politike, ose merren vetëm formalisht. Më kryesorja është financimi i ligjshëm i partive politike.
Ndaj dhe kjo nismë e radhës e Celibashit tingëllon interesante në teori mirëpo praktika deri më sot flet ndryshe.
ZYRTARËT QË JU NDALOHEN AKTIVITETET
- Kryeministri
- Zëvendëskryeministri
- Ministrat
- Zëvendësministrat
- Kryetarët e bashkive
- Zv.kryebashkiakët
- Drejtorët e përgjithshëm të agjencive
- Drejtorët e sh.a (OSHEE, Ujësjellësat, Posta, etj)
AKTIVITETET QË NDALOHEN
- promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve në transporte, energji, mjedis, shëndetësi, kulturës dhe arsim;
- promovimin e objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore;
- shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve;
- rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve.