Ushtruesja e Detyrës së Presidentit në Kosovë, znj.Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim ditën e sotme me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë z.Gramoz Ruçi.
Në takimin e saj, znj.Osmani i ka kërkuar z.Ruçi që të ndjekë shembullin e Kuvendit të Kosovës që miratoi një Rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë.
“Duhet ndiqet shembulli i Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar një Rezolutë, me të cilën kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet”- ka deklaruar Osmani.
Ruçi, vuri në dukje se kjo vizitë, shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos për bashkëpunimin parlamentar, i cili është shumë i mirë, por duhet të vazhdojë të zgjerohet e fuqizohet.
“E vërteta është se Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Shqipëria është e bindur se të gjitha akuzat kundër udhëheqësve të luftës së drejtë të Kosovës, që fatkeqësisht bazohen në raportin-plagjiaturë të Dick Marty, kujtimet e prokurores Karla del Ponte dhe raportin e prokurorisë serbe, nuk janë të bazuara në prova, por në shpifje e fantazi të sëmura. Kërkohet unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën. Të mos lejojmë që e vërteta e Kosovës të përmbyset dhe dosja e Kosovës të hiqet nga tryeza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Te Presidenti Biden, Kosova ka një mbështetës edhe më të fuqishëm që e njeh mirë rajonin dhe Kosovën”, theksoi Kryetari i Kuvendit Ruçi.