Babai i 25-vjeçarit Klodian Rasha, i vrarë nga një efektiv policie në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit, vendosi që t’i dhurojë për bamirësi të hollat që janë mbledhur nga njerëzit.
Në një intervistë me News24, Qazim Rasha, tha se nuk mund t’i fusë në shtëpi të hollat e mbledhura për të birin duke ia dhuruar një vajze shqiptare në Maqedoninë e Veriut që përballet me një problem shëndetësor.
“Mendova që pjesën time, për interesimin që bënë për djalin tim, që u munduan të ma lehtësonin dhimbjen, duke qenë se në shtëpinë time shumë njerëz kanë ardhur për të kontribuar për shpirtin e Klodianit, të mund t’ua kthej këtë në një gëzim. Nuk mund të pranoj t’i fus në shtëpi ndihmat që na kanë dhënë për Klodianit, se ai cfarë pati e mori me vete. Të mundohemi të shërojmë një zemër nëne, një zemër prindi, një plagë. Apeli im është mos lëndoni nëna, mos lëndoni zemra, mos merrni jetë. Duke falënderuar të gjithë ata që më kanë ndihmuar, kam vendosur t’ia dhuroj paratë vajzës, që po dergjet. Të gjitha ndihmat për Klodianin t’i kalojnë shërimit të asaj vajze. Zoti e shëroftë. Plagë të tilla mos përjetoftë askush.” – tha Qazim Rasha.