Prokuroria zviceriane ka ngritur një padi kundër bankës së dytë më të madhe të vendit për dështimin në trajtimin të praktikave të pastrimit të parave lidhur me trafikimin e drogës nga një organizatë kriminale bullgare.
Credit Suisse akuzohet për ‘dështim në marrjen e të gjitha masave organizative që ishin të arsyeshme dhe të nevojshme për të parandaluar pastrimin e pasurive që i përkasin dhe janë nën kontrollin e organizatës kriminale’, thuhet në një deklaratë nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës.
Karteli kriminal, që raportohet të jetë krijuar nga një mundës i famshëm bullgar, ishte përfshirë në shitjet ndërkombëtare të kokainës dhe pastrimit të parave në shkallë të gjerë. Paratë e gatshme të bëra nga trafiku i drogës u përdorën gjoja për blerjen e pasurive të patundshme në Zvicër dhe Bullgari.
Të ardhurat u raportuan se dërgoheshin në llogaritë bankare në Zvicër të kontrolluara nga karteli kriminal nga viti 2004 deri në vitin 2007, sipas zyrës së prokurorit. Procedurat për hapjen dhe monitorimin e llogarive nga punonjësit dhe eprorët e ‘Credit Suisse’ nuk ishin në përputhje me dispozitat kundër pastrimit të parave në fuqi, si dhe me direktivat e brendshme të bankës.
Paditë e ngritura kundër një ish-menaxheri të Credit Suisse dhe dy anëtarëve të organizatës kriminale, erdhën pas një hetimi 12-vjeçar. Ndërkohë banka e dytë më e madhe me bazë në Zyrih hodhi poshtë akuzat.
“Banka hedh poshtë pretendimet në lidhje me mangësitë e supozuara organizative dhe synon të mbrojë veten me çdo mjet.” – tha Credit Suisse, duke shtuar se është e bindur që ish-punonjësi i saj është i pafajshëm.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT