Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: PD-ja s’do heqë dorë nga kërkimi i drejtësisë për Dosjen 184 të zgjedhjeve në Dibër


Partia Demokratike ka reaguar ashpër pas vendimit të prokurorisë së Dibrës për pushimin e hetimeve për pjesën më të madhe të personave të akuzuar si pjesë e Dosjes 184, për zgjedhjet në Dibër.

Në një reagim, numri dy i selisë blu, Bardhi, ka thënë se me vendimin e marrë drejtësia nuk ka bërë drejtësi për manipulimin e zgjedhjeve.

Në një status në rrjetet socaiale, sekretari i Përgjithshëm shton se në vend që kryeministri Rama, ministrat Gjiknuri e Tahiri e depuetët e PS-së të ishin para drejtësisë, kjo e fundit ka pritur të kalojë koha për t’i liruar nga akuzat.

“Sot drejtësia nuk bëri drejtësi me dosjen 184 të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër. Dosja 184, ku kryeministri Edi Rama, Ministri i Ekonomisë, Damian Gjiknuri, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputetët Pjerin Ndreu, sot kryetar i Bashkisë Lezhë, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Artan Gaçi janë dëgjuar nga shqiptarët duke urdhëruar dhe zbatuar vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër bashkë me personazhe të krimit të organizuar. Në vend që të gjithë këta, bashkë me Ymer Lalën apo Dionis Imerajn të ishin sot para drejtësisë, të ndëshkuar për vjedhjen e zgjedhjeve, e ashtuquajtura drejtësi pret të kalojë koha, të mos hetojë dhe të çlirojë nga akuza Edi Ramën dhe bandën e tij të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër. Ngritja e akuzave nga prokuroria vetëm për disa zyrtarë lokalë dhe përjashtimi nga përgjegjësia penale e organizatorëve, nxitësve dhe urdhëruesve të vertetë të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër nuk është drejtësi.” – shkruan Bardhi.

Zyrtari i lartë i PD-së, shton se edhe pse shkelja e ligjit dhe manipulimi i zgjedhjeve janë parë e dëgjuar nga shqiptarët dhe mbarë bota,loja e SPAK-ut e ping-pongu me Dosjen 184 s’është justifikim. Ai theksoi se PD-ja nuk do heqë dorë nga kërkesa për drejtësi të plotë manipulimin e zgjedhjeve në Dibër.

“Shqiptarët dhe bota mbarë kanë dëgjuar me zë e figurë sesi Edi Rama urdhëronte zyrtarët lokal për manipulimin e zgjedhjeve, sesi Damian Gjinknuri dhe Imer Lala blinin votat, sesi Pjerin Ndreu kërcënonte mësuesit. Shkelja e ligjit nga maja e pushtetit nuk mund të mbulohet me peshqit e vegjël dhe të ngordhur të pushtetit që rri në këmbë nga votat e vjedhura. Loja e SPAK dhe ping – pongu me dosjen në segmentin Tiranë-Dibër, nuk është kurrë justifikim për mungesën e drejtësisë. Shitblerja e votave, e konstatuar nga prokuroria ka përgjegjës, së pari, Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Imer Lalën, Dionis Ymerin, Pjerin Ndreun dhe të tjerët. Keta duhet të përballen me ligjin për krimin që kanë kryer. Shqiptarët presin ndëshkimin e organizatorëve dhe nxitësve të krimeve elektorale. Kjo është një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Partia Demokratike nuk do të heqë dorë nga kërkesa për drejtësi të plotë për dosjen 184. Në cilësinë e kallëzuesit, ne po presim njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Dibrës dhe njohjen me aktet e plota të dosjes për t’i shkuar kësaj çështje deri në fund. Hajdutët e vërtetë të zgjedhjeve duhet të përballen me ligjin, në çdo kohë dhe kushdo qofshin!” – mbyll reagimin Bardhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *