Ish-ministri i Brendshëm, Lleshaj, tha gjatë prezantimit që kryeministri Rama i bëri pasardhësit të tij, Çuçi, se ka pasur merak përherë se kujt do ia lërë vendin ndërsa ndihet i qetë për emrin që ka propozuar kreu i qeverisë në krye të Ministrisë së Brendshme.
“Është merak i madh kujt ia dorëzon çelsin. Unë e kam dorëzuar shpesh çelsin në karrierë dhe kam pasur përherë merakun se kujt do ia lija stafetën.” – tha Lleshaj.
Pas Lleshajt, foli kryeministri i cili tha se Çuçi nuk e kishte ditur që do bëhej ministër i Brendshëm.
“Ka ardhur pa dijeninë e tij, s’e ka pasur as mundësinë të thotë se çfarë dëshire ka.” – tha Rama.
I fundit foli shkurt ministri i ri, Çuçi, i cili tha se do japë maksimumin që të vijojë punë e mirë të bërë nga Lleshaj.
“Në politikë është si në dramaturgji, vëmendja s’duhet marrë nga mënyra se si hyn në skenë por nga dalja nga skena. Do bëj maksimumin që të vijoj punën e mirë që ka bërë Sandri në këtë institucion.” – tha Çuçi.