Vendosni fjalën kyçe....

“Pasaporta, karta identiteti dhe patenta të falsifikuara”-arrestohen 2 persona në Lezhë


Dy persona janë arrestuar në kuadër të operacionit “Falsifikatori” në Lezhë.

Policia ka arrestuar shtetasit L. S., 27 vjeç dhe R. H., 39 vjeç, banues në Kukës.

Gjatë kontrollit në hyrje të qytetit të Rrëshenit policia ndaloi mjetin “Ford Mustang” dhe gjatë kontrollit gjeti dhe sekuestroi 23 karta identiteti, 19 pasaporta dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.

Të dy shtetasit akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë DVP Lezhë, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se 2 shtetas që merreshin me veprimtarinë e paligjshme të falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave po lëviznin me mjet nga Kukësi në drejtim të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Falsifikatori”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– L. S., 27 vjeç dhe R. H., 39 vjeç, banues në Kukës.

Në hyrje të qytetit të Rrëshenit, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë kanë evidentuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë ndalimin e tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford Mustang” me drejtues shtetasin R. H. dhe pasagjer shtetasin L. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 23 karta identiteti, 19 pasaporta dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.

Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e Policisë Kukës është ushtruar kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku përsëri janë gjetur letërnjoftime të tilla.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti “Ford Mustang”, pasaportat, kartat e identitetit dhe lejet e drejtimit të falsifikuara.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet hetimore janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *