Kryeministri Edi Rama është komentuar mjaft në rrjet për mungesën e tij në seancën e sotme plenare në Kuvend, ku mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila mbajti një fjalim të fortë.
Të shumtë ishin rivalët politikë dhe disa media, që e konsideruan mungesën e Ramës gjatë fjalimit të Osmanit si një bojkot ndaj saj. Por si e ka pritur vetë Osmani mungesën e Ramës?
Ajo u pyet për këtë mbrëmjen e kaluar gjatë një interviste për “Euronews Albania”, ku u përgjigj se nuk e kishte vënë re mungesën e kryeministrit shqiptar.
“Nuk e kam vënë re në të vërtetë, dhe nuk i kam lexuar mediat, por tani po e di.” – tha Osmani.
Presidentja në detyrë foli për takimin që ka patur ditën e sotme me Ramën, ku zbuloi se kishin diskutuar me njëri-tjetrin për Minischengenin dhe kërkesën për miratimin e një rezolute të Parlamentit të Shqipërisë për gjenocidin serb në Kosovë.
“I thashë ato që i kam thënë publikisht, ia ka thënë edhe në takime të mëhershme (minischengen). Në mënyrë që një iniciativë rajonale të ketë suksese duhet të iniciohet nga të gjitha vendet. Kërkojmë gjithë përfshirë dhe të konsultohet Kosova para se të ecet përpara. Kemi kërkuar detaje për marrëveshjen”, tha Osmani.
Presidentja dhe njëherazi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në një vizitë tre ditore në Tiranë.
Ajo sot mori pjesë dhe në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku mbajti një fjalim të fortë. Osmani i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të dënojë genocidin serb gjatë luftës së Kosovës.
Po kështu ajo tha se Prishtina nuk mund ta shpërblejë Beogradin me territore dhe se Shqipëria e Kosova duhet të bëjnë çmos që të ndalin largimin e të rinjve nga vendi ndërsa kërkoi drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë.